Porti i Durrësit shkëmbime tregtare me 67 porte në botë, në janar-qershor të këtij viti

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Anijet tregtare që kanë transportuar mallra nga/drejt Durrësit në këto 6 muaj kanë lundruar nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës duke përpunuar në total 1 milion e 868 mijë tonë mallra.

Mallrat e ndryshme të eksport-importeve janë nisur apo kane mbërritur jo vetëm nga porte të kontinenteve të Europës, por edhe nga Afrika, Azia dhe Amerika e veriut.

Shifrat janë bërë të njohura nga sektori i Statistikave portuale, i cili analizon periudhën janar-qershor 2020. Sasia më e madhe e mallrave të transportuar drejt apo nga Durresi në këto 6 muaj i përket porteve të Italisë, me 810 mijë tonë ose 43 % e të gjithë mallrave të përpunuara, Greqia me 294 mijë tonë ose 16 %, Rusia me 172 mijë tonë ose 9 %.

Ndërsa në vendin e katërt dhe të pestë renditen Turqia dhe SHBA përkatësisht me 121 mijë tonë ose 6 % dhe 91 mijë tone ose 5 % e të gjithë volumeve tregtare të përpunuara përgjatë kësaj periudhe.

Eksportet shqiptare janë transportuar me anije nga Durrësi drejt Italisë 53% , Greqisë 23%; Sllovenia 9%, Malta 7%, Spanja 4%, etj.

Ndërkohë, peshën kryesore edhe në import e mban Italia me 40 %, e ndjekur nga Greqia 13 %, Rusia 12%, Turqia 9%, SHBA 6%, etj./k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.