Nis aplikimi i regjimit të posaçëm “41 bis” në Burgjet e Sigurisë së Lartë/ Firmoset lista e parë me 7 të dënuar për vepra të rënda

Nga Ministria e Drejtësisë – Me kolegen e Drejtësisë Gjonaj, drejtuesin e SPAK Kraja, Drejtorin e PSH Veliu, Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Ismaili, për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, i njohur si sistemi "41 bis"

Gepostet von Sander Lleshaj am Donnerstag, 30. Juli 2020

TIRANË, 30 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ 7 persona të akuzuar dhe dënuar për vepra të rënda penale që variojnë nga pjesëmarrje në organizata kriminale dhe deri në pjesëmarrje në organizata terroriste do t’i nënshtrohen regjimit “41 bis”.

Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot një bashkëbisedim me gazetarët për “Regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë”, ku ishin të pranishëm, ministrja Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesi i SPAK, prokurori Arben Kraja, të cilët deklaruan fillimin e aplikimit të Regjimit të Posaçëm në Burgjet e Sigurisë së Lartë, të ashtuquajturin Regjimi 41-Bis.

Të tre autoritetet kanë firmosur listën e parë me 7 persona të akuzuar dhe dënuar për vepra të rënda penale që variojnë nga pjesëmarrje në organizata kriminale dhe deri në pjesëmarrje në organizata terroriste.

Në përfundim të procedurave janë përgatitur urdhërat për vendosjen e shtetasve Arbjon Aliko, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Genci Balla dhe Endrit Zela  në regjimin e posaçëm.

Gjonaj: Ky regjim i bazuar në modelin e suksesshëm italian

Në fjalën e saj para përfaqësuesve të medias, Ministrja Etilda Gjonaj deklaroi se, ‘pas kryerjes së një procesi të gjatë ne verifikimin dhe vlerësimin e të gjithë informacionit në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse sipas ligjit, SPAK, Ministria e Brendshme, Shërbimi informativ shtetëror, Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, drejtoria e përgjithshme e policisë, agjensitë ligjzbatuese u konkludua procesi për vendimmarrjen për 7 subjektet e para.

Vendimmarrja për zbatimin e këtij rregjimi, pavarësisht ndonjë pretendimi që është vonuar, mund të them se përkundrazi ka marrë të gjithë kohën e nevojshme në zhvillimin e tij, pasi është një proces që zbatohet për herë të parë në vendin tonë, një proces mjaft kompleks në aspektin e vendimmarrjes së tij me qëllimin për të krijuar një praktikë të shëndetshme.

‘Ky është një rregjim që po zbatohet për herë të parë në Shqipëri, bazuar në modelin e suksesshëm italian, përvoja e të cilëve ka dëshmuar rezultate të jashtëzakonshme kundër grupeve të struktuara kriminale dhe mafias.

Ky është një tregues i qartë i vullnetit të qeverisë për të intensifikuar me vendosmëri luftën e institucioneve shqiptare kundër krimit të organizuar, organizatave kriminale, si edhe organizatave apo elementëve terroristë. Përfshirja në këtë rregjim të subjekteve të cilët paraqesin rrezikshmëri të lartë do të shërbejë gjithashtu për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale të subjekteve që ndodhen aktualisht në burgje‘,  u shpreh Ministrja e Drejtësisë Gjonaj.

“Ata që do të gjykohen për veprat penale të krimit të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe terroriste, do të vendosen në një regjim të posaçëm me kufizim të të drejtave, me qëllim për të parandaluar: kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate; konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare; ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë”, tha ajo.

Lleshaj: Institucionet e shtetit shqiptar, të angazhuara së bashku dhe të koordinuara më së miri

Ministri i Brendshëme, Sandër Lleshaj u shpreh në fjalën e tij se, “ Ministria e brendshme dhe Policia e Shtetit janë të përfshirë në këtë proces për arsye të ligjit. Përfshirja vjen në kuadër të angazhimit të madh të qeverisë shqiptare për të kaluar në një fazë të re vendimtare në luftën krimit të organizuar. Ky vit ka qenë një vit i rëndësishëm në këtë drejtim”.

“Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha, që janë bërë për fillimin e Operacionit Forca e Ligjit, i cili synon të godasë financat kriminale. Krahas goditjes së financave, aseteve kriminale, edhe masat që po merren në kuadër të ligjit të njohur tashmë si “41 bis“, synon pikërisht këtë goditjen e shumanshme të krimit, sepse vetëm përmes një goditjeje të tillë të integruar do të garantohet edhe suksesi i synuar nga qytetarët dhe nga ligjvënësi”, tha ai.

“Kuptohet që dënimi penal ekziston si fazë reflektimi për të dënuarit dhe si vendosje drejtësie. Për sa kohë që dënimi penal nuk e kryen këtë qëllim, pra në vend që të jetë një periudhë reflektimi për veprën e kryer, shndërrohet në një periudhë riaktivizimi kriminal dhe operacioni kriminal, atëherë ndërhyrja ishte e domosdoshme. Marrja e masave, pas ligjit tashmë, masave të karakterit operacional për zbatimin e tij është po aq e domosdoshme”, tha Lleshaj.

“Ligji shënon pikërisht ndërprerjen e mundësisë për të bërë krim më tej, për ata që kanë bërë dhe janë dënuar për një krim të caktuar, dhe për t’u dhënë atyre kohën të reflektojnë dhe të mos të veprojnë dhe të mos kryejnë më krim. Kështu që është me shumë rëndësi kjo paketë masash që ka marrë Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me të gjitha agjencitë që u përmendën nga Ministrja dhe nga Prokurori”, nënvizoi Lleshaj.

“Është me shumë rëndësi të theksojmë dhe të përcjellim mesazhin që institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara së bashku dhe të koordinuara më së miri, si kurrë ndonjëherë më parë, në këtë përpjekje të integruar, për të mundësuar që krimi të marrë goditjen e madhe”, tha ai.

Kraja: Ndërhyrja ligjore ishte e domosdoshme dhe tepër e nevojshme

Drejtuesi i SPAK, Prokurori Arben Kraja tha se, “në punën tonë hasim situata të rënduara me personazhe që shkaktojnë problematika në sjelljen e tyre dhe normalisht shteti duhet të reagojë dhe duhet të marrë masa që ta kufizojë dhe ndëshkojë këtë veprimtari. Dhe ën ëktë kuptim situata me “41 bis” është e njëjta gjë”.

“Ne nga praktikat e mëparshme kemi pasur raste që nga qelitë e burgut personazhe të përfshira në krim të organizuar apo në struktura të larta të krimit të organizuar menaxhojnë sistemin jashtë territorit të burgut, duke kryer aktivitete kriminale dhe duke u bërë edhe më të rrezikshëm për shoqërinë”, shtoi ai.

Në këto kushte, nënvizoi Kraja, “ndërhyrja ligjore ishte e domosdoshme dhe tepër e nevojshme. Por nga momenti i miratimit të aktit deri në momentin e zbatimit  të tij patjetër që kërkohet një afat kohor për ta realizuar”.

Ai u shpreh se, “në ëktë moment kemi urdhrat e parë, emrat e parë për për t’u përfshirë persona në regjimin “41 bis”.

Ai tha se SPAK ka bërë propozimet konkrete të cilat më pas janë mbështetur nga nga Ministria e Drejtësisë.

Kraja u shpreh i vendosur për ta vazhduar zbatimin e tij për çdo person që do të plotësojë kriteret për t’u përfshirë në këtë sistem.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.