Ndryshimet kushtetuese/ Manja: Partitë mund të grupohen në koalicione parazgjedhore, por do të dalin me një listë kandidatësh

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ – “Votimi i sotëm në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimet kushtetuese konsiderohet një votim historik”.

Kreu i Komisonit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi sot në një intervistë televizive se, nga sot qytetarëve shqiptarë iu kthye sovraniteti.

“Akti i sotëm për disa ndryshime në ligjin themeltar të shtetit siç është Kushtetuta konsiderohet një akt me rëndësi politiko-juridike. Sot ndryshimet kushtetuese morën një votë masive: 106 deputetë pro, 6 kundër dhe në mos gaboj 3 ose 4 kolegë nuk ishin prezentë në votim për shkak të arsyeve objektive që dihen për shkak të kësaj pandemie botërore. Nga sot mund të themi se qytetarëve shqiptarë iu kthye sovraniteti”, theksoi Manja.

“Ndryshimet e sotme kanë dy risi në vlerësimin tim si kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe votues i këtyre amendamenteve, listat e hapura, pra votën parapëlqyese të qytetarëve shqiptarë për listat shumë emërore të partive politike dhe natyrisht edhe një ndryshim që ka të bëjë me subjektet që propozojnë kandidatët për deputetë, që sipas asaj që votuam sot, do të jenë partitë politike dhe zgjedhësit”, tha ai.

Manja tha se, “në fakt është abuzuar shumë me këtë heqjen e koaliconeve parazgjedhore, por le të kthehemi çfarë janë koalicionet parazgjedhore”.

Manja shtoi se, nuk është ndryshuar sistemi zgjedhor, por vetëm janë hapur listat dhe qytetarëve u është dhënë mundësia të votojnë kandidatët.

“Nuk është ndryshuar sistemi zgjedhor, sepse dhe me këtë pjesë po abuzohet. Shqipëria do të vazhdojë të ketë sistem proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore, që i korrespondojnë nivelit të organizimit të qarqeve. Numri i deputetëve nuk ndryshon. Me votimin e sotëm kemi bërë hapjen e listave, dhënien e të drejtës qytetarëve që të zgjedhin, jo vetëm subjektin politik për të cilin ato do të duhet të shprehen me votë, por edhe deputetin e tyre në Parlament”, u shpreh Manja.

Manja shtoi se, “nëse deri dje qytetarët shqiptarë votonin siglën e partisë me votimin e sotëm, i jepet mundësia të zgjedhë vetë deputetin që do ta përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm. U bënë të gjitha përpjekjet në fakt edhe për ta marrë dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare, pas marrëveshjes së 5 qershorit. PS thirri 3-4 mbledhje të Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese që ishin propozim i opozitës parlamentare, i asaj opozite që për hir të së vërtetës i ka qëndruar besnik arsyes për të cilën erdhën në parlament”.

“E ka shprehur opozita parlamentare, i pranuam mandatet për të kontribuar për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe për reformimin e sistemit zgjedhor. Kemi ardhur për të bërë çmos që të hapen listat shumëemërore për zgjedhjet politike. Në fakt zëri i opozitës parlamentare ishte dhe vokacioni i qytetarëve shqiptarë të cilëve pas ndryshimeve ksuhtetuese të vitit 2008 iu mohua e drejta për të zgjehdur deputetin që do t’i përfaqësonte në parlament”, tha Manja.

Manja u shpreh se, opozita jashtë parlamentare kishte tentativa për t’i bllokuar këto ndryshime kushtetuese.

“Tentativat e opozitës jashtëparlamentare gjatë këtyre ditëve ishin bllokimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese. Ne si mazhorancë dhe Kuvendi kishim vetëm një rrugë, përsa kohë nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare kaloi të gjitha filtrat parlamentarë, sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit do të duhej të votoheshin sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Manaj e cilësoi spekulim pretendimin që ndalohen koalicionet parazgjedhore.

“Po t’i referohemi saktësisht ndryshimit që është bërë në nenin 68 flitet kush do t’i paraqesë kandidatët për deputetë. Ndryshimi i sotëm thotë kandidatët do të paraqiten nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Ndërsa rregullat për regjistrimin e kandidatëve, ndryshimet e sotme kushtetuese ia kanë deleguar ligjit zgjedhor. Koalicionet parazgjedhore janë formacione elektorale pa personalitet juridik dhe në përgjithësi shfrytëzojnë partitë e vogla, pa peshë specifike tek elektorati, që nuk e kalojnë pragun elektoral, për t’u bërë pjesë e jetës parlamentare”, tha ai.

“Çfarë ndodh tani, 2 ose më shumë parti politike janë subjekte zgjedhore. Pra subjekt zgjedhor mund të jenë 2 ose më shumë parti politike që propozojnë një listë shumë emërore. Do të thotë koalicionet nuk pengohen nga ndryshimet e sotme kushtetuese. Por ama, pas plotësimit të ligjit zgjedhor, ku do të reflektohen dhe ndryshimet që kemi votuar sot në kushtetutë, partitë politike mund të grupohen në koalicione parazgjedhore, por ama do të dalin me një ofertë politike, me një listë të vetme kandidatësh. As më shumë dhe as më pak ajo që u bë në zgjedhjet e vitit 2017”, shtoi Manja.

E thënë më qartë, nënvizoi ai, “partitë e vogla, o do të duhet të garojnë me siglën e tyre dhe të masin peshën e tyre specifike si parti në elektorat, ose do të duhet të hyjnë dhe të garojnë në një koalicion parazgjedhor, por me një listë të vetme. Pra ndryshimet e sotme kushtetuese garantojnë të drejtën e ndeshjes listë me listë”, shtoi Manja.

Manja tha se nuk e pengon askush opozitën t’i hapë 100% listat pasi është parashikuar të hapen jo më pak se 2/3.

Ai u shpreh se kjo gjë bëhet për të garantuar barazinë gjinore që është një standard kushtetues i arritur tashmë në vendin tonë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.