Miratimi i ndryshimeve kushtetuese/ Ambasada e SHBA-së: Veprim në kompetencën e Parlamentit, partitë të vijojnë angazhimin në Këshillin Politik

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ “Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse përmes Këshillit Politik. Sot, Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për reformën zgjedhore”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, reagoi sot ndaj ndryshimeve kushtetuese të miratuara në Kuvend për Reformën Zgjedhore.

Ambasada e SHBA theksoi se, “ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit”.

“Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet”, theksoi Ambasada e SHBA.

“Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve”, shtoi Ambasada e SHBA.

“Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”, nënvizoi Ambasada amerikane.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.