Meta: Ndryshimet kushtetuese asgjësuan marrëveshjet konsensuale; Rama: Siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ “Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës, theksoi ai përmes një deklarate për shtyp, asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 janarit dhe të 5 qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”, thuhet në deklaratën e Presidentit.

“Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre”, shprehet Meta.

Ai tha se “Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike”.

“Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund”, shprehet Meta.

Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me deklaratën e presidentit duke u shprehur se “Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venecias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit”.

“Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin”, thekson Rama.

“Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria”, nënvizon Kryeministri Rama.

/a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.