Menaxhimi i integruar i zonës arkeologjike A/ Impakt për qytetin e Durrësit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Arkitektë dhe përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë marrë pjesë në prezantimin që ka bërë bashkia e Durrësit lidhur me zonën arkeologjike A të qytetit në kuadër të fillimit të projektit për hartimin e planit të menaxhimit të integruar të zonës arkeologjike A të Durrësit.

Në këtë prezantim ka marrë pjesë edhe kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, e cila u shpreh se, “Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit kanë nënshkruar një marrëveshje për të cilën jam mjaft entuziaste dhe do të doja që projekti të fillonte sa më parë. Ky proces do të jetë transparent për të gjithë qytetarët”.

“Dihet që zona A është mjaft e rëndësishme për shkak të pasurisë arkeologjike që ka nëntoka e saj. Ky është një projekt mjaft i veçantë dhe shumë ambicioz për të gjithë Shqipërinë dhe më vjen mirë që do të zbatohet në një qytet po kaq të rëndësishëm siç është Durrësi”, tha Sako.

“Pavarësisht se Durrësi dhe qytetarët e tij kalojnë një periudhë mjaft të vështirë për shkak të tërmetit dhe situatës së pandemisë, jam e bindur që ky projekt do të marrë vëmendje maksimale dhe do të ketë impaktin e duhur për qytetin tonë”, u shpreh ajo.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.