Festa e Kurban Bajramit/ Spahiu apel besimtarëve: Kujdes me festimet, të shmangim infektimet nga COVID-19

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kreu i KMSH, Bujar Spahiu i është drejtuar me një mesazh besimtarëve myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Spahiu apelon besimtarët që duhet të kenë kujdes dhe të marrin masat e duhura për COVID-19.

“Në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit ku atmosfera shpirtërore ndihet anembanë më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë Bajrami në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Festa e Kurban Bajramit është e lidhur ngushtë me kushtin e pestë të Islamit, Haxhin. Por ndryshe nga vitet e tjera për arsye të situatës së krijuar nga pandemia besimtarët myslimanë nga mbarë bota nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti”, shprehet Spahiu lidhur me festimet nesër të Kurban Bajramit.

Ai shton se “mungesa e tablosë së bukur të haxhit ku miliona haxhinjë nga vende të ndryshme të botës, të veshur me të bardha, pa dallim kombësie, shtrese shoqërore, të bashkuar vetëm për t’ju lutur Allahut të lartësuar për paqe dhe dashuri mes njerëzve, për të kërkuar falje për mëkatet, për t’u bërë prej njerëzve të sinqertë dhe të devotshëm do të na mungojë këtë vit. Por mbi të gjitha detyra jonë është të nxjerrim urtësi nga çdo ngjarje, dhe në këto ditë feste le të shpalosim të gjitha vlerat njerëzore, edukative dhe shpirtërore të Haxhit”.

Spahiu thekson se “Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Në Kuranin famëlartë Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi as gjaku i kurbanit por përkushtimi ynë që kemi për të. Pra Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin, dhe duke ndarë mishin e kurbanit me njerëzit në nevojë ne jemi më afër pëlqimit të Tij”.

“Le të shërbejë kjo festë për të ripërtërirë ndjenjat e bukura të dashurisë, respektit, vëllazërisë, faljes dhe përkujdesjes. Kurban Bajrami është dita kur ne me buzëqeshje, gëzim e paqe, shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit. Të kujdesemi që atmosferën e këtyre ditëve ta ndjejnë të gjithë. Të qëndrojmë pranë të moshuarve, të lumturojmë familjen, fëmijët tanë dhe të gjendemi pranë njerëzve në nevojë. Gjatë këtyre ditëve të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19. Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. Kështu që e kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me kujdesin tonë edhe kjo pandemi do të largohet nga mesi ynë”, apelon Spahiu. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.