Vetingu/ KPK konfirmon në detyrë Altina Nasufin, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit

TIRANË, 29 korrik /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot një seancë për shpalljen e vendimit për subjektin e rivlerësimit Altina Nasufi, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit.

Trupa gjykuese e KPK, e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare, konfirmoi sot në detyrë me shumicë votash gjyqtaren e Apelit Administrativ Altina Nasufi.

Gjyqtarja Nasufi, e cila ishte e pranishme gjatë seancës së shpalljes së vendimit, është hetuar për të tre kriteret e rivlerësimit, përfshirë pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe pasurinë.

Altina Nasufi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua fillimisht gjyqtare në Gjykatën e Dibrës, ku e ushtroi funksionin për një dekadë. Në vitin 2013, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.