Shkolla “Llesh Nik Daka” në Lezhë, sot kantier ndërtimi, më 26 nëntor gati për të pritur mbi 500 nxënës

TIRANË, 29  korrik/ATSH/ Shkolla e mesme e bashkuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, sot kantier ndërtimi, më 26 nëntor do të jetë gati për të pritur 535 nxënës.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Rindërtim dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu inspektoi sot punimet për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Llesh Nik Daka” e cila do të ketë ambiente për të gjitha funksionet e një shkolle dhe qendre komunitare, laboratorë, kënde sportive, mjedise shërbimesh, infrastrukturë moderne me e sigurt dhe me kushte optimal.

“Më 26 nëntor do hapet dera. Përpara edhe më mirë. Por me 26 nëntor këtu do futen nxënësit. Punoni me katër turne po të doni, por më 26 nëntor shkolla do jetë e hapur. Na pengoi ajo periudha e karantinës, por duhet ta kapim medoemos 26-nëntorin”,- nënvizoi Rama duke shtuar se nëse kompania nuk e mbaron shkollën me 26 nëntor do të futet në listë të zezë.

Kryeministri  thekson se 143 shkolla të reja në zonën e prekur nga tërmeti do të jenë një model shembullor i ambicies sonë për Shqipërinë.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, u shpreh se puna e zhvilluar është me ritme të shpejta. “Është gërmuar shtatë metra. Këtu po investohen gati 2.5 milionë dollarë në 3 900 metra katror ndërtim. Për pjesën e laboratorëve e kemi konceptuar si lob më vete, ku ia kemi lënë në duar Ministrisë së Arsimit, edhe paratë, edhe procedurën. Kjo është një nga më të mëdhatë që po rindërtohet dhe shpejtësia është mbresëlënëse, vetëm në 30 ditë punë kemi kaluar tek katet e dyta, nga një gërmim 7 metra nën tokë deri këtu në katin e dytë”, – u shpreh Ahmetaj.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se ky është një investim që i vjen në ndihmë tej mase komunitetit. “Zona në fjalë ka një komunitet të përbërë edhe nga vendasit dhe nga të ardhur dhe ka një volum të madh nxënësish. Investimi i vjen një ndihmë tej mase zonës”, – tha Ndreu. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.