Rishikimi i buxhetit/ Rritje e shpenzimeve me 30.16 miliardë lekë, në fokus rindërtimi dhe investimet publike

Live: Fjala në Parlament e Ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj

Gepostet von Taulant Balla am Mittwoch, 29. Juli 2020

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi sot ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2020, që sipas saj bëjnë të mundur përdorimin maksimal të funksionit stabilizues të buxhetit të shtetit, si instrument kryesor për të amortizuar një pjesë të efekteve të forta negative prej tërmetit të 26 nëntorit dhe infeksionit të COVID-19.

Por njëkohësisht, tha ajo, për të dhënë një investim shtesë në shumë projekte të rëndësishme të qeverisë shqiptare.

Gjatë prezantimit të rishikimit të buxhetit në Kuvend, Denaj tha se ndryshimi i parametrave makrofiskal do të jetë i përkohshëm dhe në periudhën afatmesme politika fiskale do të kthehet qartësisht drejt objektit të asaj prioritar që është konsolidimi makrofiskal.

“Rritja e defiçitit buxhetor në 8.4% të PBB-së dhe e borxhit publik në rreth 80% duke përdorur plotësisht hapësirat e buxhetit të shtetit është një periudhë e përkohshme e cila vjen si një domosdoshmëri. Në vlerësimin tonë është parashikuar një rritje reale negative -4.3% për vitin 2020, e shoqëruar me një rritje të konsiderueshme në tre vitet e ardhshme, si rrjedhojë e zhvillimeve në vend, rritjes së investimeve dhe nxitjes së konsumit”, deklaroi Denaj.

Ministrja u shpreh se tkurrja e investimeve private pritet të kompensohet nga një rritje e fortë e investimeve publike, jo vetëm në investimet tipike në infrastrukturë, por edhe në ato që lidhen drejtpërdrejtë me rindërtimin pas tërmetit, duke e mbajtur kështu premtimin e qeverisë “Rama” për rikuperim të menjëhershëm.

Në këtë rishikim buxheti, tha Denaj, propozohet një reduktim në masën -63.1 miliardë lekë të planit të arkëtimeve të të ardhurave buxhetore, kundrejt planit fillestar 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë COVID-19, ku pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth 17%.

Denaj u shpreh se devijacionet kryesore rezultojnë në tatimin mbi vlerën e shtuar e tatimin mbi të ardhurat, si rezultat i pezullimit të taitmfitimit për kompanitë dhe efektet në tatimin mbi pagat nga reduktimi i punësimit.

Po ashtu, ministrja bëri të ditur se parashikohet rritja e shpenzimeve buxhetore me rreth 30.16 miliardë lekë, me synim kryesor injektimin me financim të sektorëve prioritare të ekonomisë, specifikisht përmes investimeve publike.

“Do të sigurohet procesi i rindërtimit dhe vijimësia e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë 14 miliardë lekë shtesë për programin e rindërtimit, duke e çuar në 34 miliardë lekë mbështetjen buxhetore për këtë programin”, theksoi Denaj. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.