Ndryshojnë afatet për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare

 

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 ka shkaktuar ndër të tjera edhe vështirësi për institucionet financiare që të zbatojnë detyrimet ligjore në kuadër të shkëmbimit automatik të informacionit të llogarive financiare.

Këto institucione nuk arritën të krijojnë plotësisht sistemet e brendshme të teknologjisë së informacionit, për shkak të fokusimit të burimeve njerëzore në fusha emergjente, si dhënia e kredive për bizneset etj.

Gjithashtu, gjendja e jashtëzakonshme ndikoi për mosplotësimin e formularëve dhe të dokumentacionit në kohë nga individët.

Për këtë arsye ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se janë propozuar ndryshime në “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”.

“Shtyrja e afateve do t’u japë këtyre institucioneve kohën e nevojshme për marrjen e masave dhe kryerjen e investimeve, të cilat do të bëjnë të mundur realizimin e raportimit në organet tatimore për vitin 2020”, tha Denaj.

Denaj bëri të ditur sot gjatë fjalës së saj në Kuvend se ndryshimet në këtë ligj parashikojnë shtyrjen e e afatit të raportimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

“Projektligji parashikon shtyrjen nga data 31 korrik 2020, në datën 15 nëntor 2020 të afatit të raportimit të institucioneve financiare në organet tatimore për vitin 2020”, tha Denaj.

Gjithashtu, vijoi ministrja, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, Grupi Drejtues i Forumit Global të OECD ka rekomanduar që afati i shkëmbimit automatik të informacionit ndërmjet juridiksioneve të zgjatet deri në fund të dhjetorit 2020, vetëm për vitin 2020.

Për këto arsye, tha ajo, afati i shkëmbimit automatik të informacionit të parashikuar vetëm për shkëmbimin e parë automatik të informacionit me juridiksionet e tjera kompetente do të shtyhet.

Sipas saj, në ligj ishte parashikuar që shkëmbimi automatik i informacionit të kryhej brenda 9-mujorit të vitit. Ndërsa me propozimin në projektligj, shkëmbimi do të kryhet brenda datës 31 dhjetor./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.