“Ndryshimet kushtetuese përcaktojnë hapjen e listave”/ Çuçi: Ndryshimet do pasqyrohen më tej në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 29 korrik /ATSH- Arbi Fortuzi/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh sot se “duhet të shkojmë drejt ndryshimeve kushtetuese për të hapur garën në kuptimin e bërjes së mundur që zgjedhësit shqiptarë, përveç preferencës për partinë, të zgjedhin dhe kandidatët brenda partisë”.

Gjatë një interviste televizive ai theksoi se “tashmë ne kemi deklaruar qartë që ndryshimet do të fillojnë me ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen nesër dhe më pas do diskutohet me detajet se si do administrohet sistemi i listave të hapura”.

Çuçi shpjegoi se, ndryshimet kushtetuese do të lënë hapësirën që kjo gjë të vendoset me ndryshimet që do reflektohen në Kodin Zgjedhor. “Ndryshimet kushtetuese do përcaktojnë që listat do hapen, pra listat e kandidatëve për deputetë do hapen jo më pak se 2/3-at, duke i dhënë mundësi partive politike për ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të adresuar çështjet gjinore, apo çështje të tjera dhe kjo do shihet në vijim, në ndryshimet që do pasqyrohen më tej në Kodin Zgjedhor”- tha ministri.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese e lejojnë të merret një vendim për hapjen e listave me 2/3 apo 100%. “Kjo bëhet për të mos hequr dorë nga disa parime që kemi sanksionuar, për t’u ruajtur ato parime për raportin gjinor në përfaqësimin e parlamentit shqiptar”, u shpreh Çuçi.

Ai theksoi se, “çështja e listave është konsensusi më i madh shoqëror që mund të kemi. Kjo legjitimon ndryshimin kushtetues drejt hapjes së listave. Le ta zgjedhë vetë opozita jashtëparlamentare modelin që duan të zgjedhin për të përshtatur në vendin tonë, ne s’mund të shpikim modele që s’janë të aplikuara në vendet e tjera, por duhet të aplikojmë modelin që kanë vendet e OSBE-së”.

“Opozita në njëfarë mënyrë e ka humbur edhe aftësinë politike për t’u imponuar deri në këtë pikë, që në momentin që mori vendimin absurd dhe të dënueshëm demokratikisht të braktisjes së Kuvendit. Ajo mund të japë opinione, prandaj është parlamenti, që brenda institucioneve, që aty të imponohen vullnete të ndryshme politike. Ne po i japim mundësi opozitës të zgjedhë ajo modelin që dëshiron brenda OSBE. Vendimi i rëndësishëm është që ne po hapim listat.  Ne bëjmë dhe një lloj rregullimi, duke i lënë parimet bazë në Kushtetutë dhe duke ia lënë Kodit Zgjedhor më pas të tjerat”- deklaroi ministri.

“Besoj se nuk ka surprizë pasi është bërë një marrëveshje me partitë opozitare në Kuvend. Kjo është një nga kërkesat që ata kanë kërkuar më shumë dhe nuk besoj se do ketë surpriza”, u shpreh Çuçi. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.