Murrizi: Gjobat nuk janë zgjidhje për të luftuar pandeminë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Deputeti i opozitës, Myslym Murrizi, duke folur sot në Kuvend ku po diskutohet Akti Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”, tha se “ajo që shoh nga data 12 mars deri sot janë 30 Akte Normative, të cilat në muajin e parë ishin shumë shtrëngues pastaj erdhi si rrufe në qiell të thatë një tolerancë, një zemërgjerësi, amnisti dhe u falën të gjitha çfarë ishin”.

Ai u shpreh se, “mirë do të ishte që të mos bëjmë diferencime nëse kemi falur penalitete, heqje licencash, patentash, leje qarkullimi, bllokim mjetesh, për 1 muaj  e gjysmë në fillim, ai precedentë duhet të ndiqej për të gjithë ata, të cilët janë ndëshkuar me masa të njëjta për të njëjtën shkelje”.

Pra nënvizoi ai, “amnistia nuk ka të bëjë ca të bardhë e ca të zezë”.

“Nuk besoj kurrë që në masat shtrënguese në rritjen e gjobave, në raprezaljen e policëve me kapele, pa kapele, me matrikull pa matrikull, policë bashkiakë e policë të ministrisë së Brendshme zhduket COVID-i dhe shpëtohen jetë qytetarësh. Numri i vdekjeve nga 1 në 3-4 ditë, sot është 4 ose 5 në ditë. Pra sado të trashni gjobat dhe të bëni raprezalje ndaj bizneseve, dado të ndaloni daullexhitë, sado të thoni që muzika e natës e përzierë me avujt e alkoolit shtoka masën e koronës është një propagandë boshe që nuk zgjidh asgjë”, u shpreh ai.

“Jam dakord për masat mbrojtës edhe një fushatë sensibilizuese për rrezikun që kanoset nga ky virus për qytetarët e Shqipërisë, por nuk zgjidh gjë gjoba nga 100 mijë në 1 milion. Nga 1 milion në 5. Unë nuk besoj se e ndalon COVID-in. Ndaj duhet të jemi më me këmbë në tokë se jo të gjithë kanë miliona dhe jo të gjithë kanë përfituar nga kjo periudhë COVID-i njësoj”, tha Murrizi.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.