Mesazhi i fortë i aktorit Agron Llakaj për të rinjtë: O sot o kurrë, kuptoni sa e shenjtë është familja dhe jeta

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Aktori i njohur Agron Llakaj i është drejtuar me një mesazh të fortë ndërgjegjësimi të rinjve.

Teksa thekson se COVID-19 nuk është një lojë, por një betejë për jetën, Llakaj shprehet se duhet të vendosni maskë, të ruani distancimin fizik dhe higjienën personale.

Llakaj shprehet se duke zbatuar këto rregulla të rinjtë duhet të mendojnë për prindërit dhe gjyshërit, si më të rrezikuarit në këtë betejë me virusin.

“Shpëto një jetë. Për të gjithë të rinjtë e të rejat, adoleshentët, ju drejtohem si artist, si prind e si gjysh. COVID-19 nuk është lojë dhe kjo betejë tashmë është në dorën tuaj, në dorën tonë, pa as më të voglin dyshim. Mos mendoni për veten, por për nënë dhe babë, gjyshe dhe gjysh që pas kësaj beteje të mallkuar, ta rigjesh sërish atë dorë të zgjatur me aq dashuri e dhembshuri. Vendos sot një maskë! Lërini për një çast për një kohë, lojërat dhe festat. Shpëto një jetë. Distancim fizik, jo grumbullime, sepse padashur ti e transmeton në shtëpi. Rreziku je ti. Rrituni njëherë para kohe për të kuptuar sa e shenjtë është familja dhe jeta. O sot, o kurrë”, apelon aktori Llakaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.