Hyseni: Me apo pa opozitën nesër do të votohen ndryshimet kushtetuese

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ “Me apo pa opozitën nesër do të votohen ndryshimet kushteutese. Unë uroj që të jetë me opozitën jashtë parlamentit, dhe jo vetëm me atë parlamentare”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.

Në një intervistë televizive ai theksoi se, “ne po bëjnë të gjitha përpjekjet për të marrë konsensusin maksimal të mundshëm. Kemi konsensusin e një pjese të opozitës dhe nuk është dhe në asnjë rast nuk do të jetë e njëanshme, gjithmonë do të jetë e dyanshme. Po këtu po diskutojmë sesa e thellë do të jetë ana e dytë nëse do të marrim konsensusin e të gjithë opozitës apo do të kemi konsensusin e pjesës institucionale të opozitës, asaj parlamentare dhe mund të mungojë konsensusi i opozitës së rrugës. Por unë besoj se këto orë mund të prodhojnë dhe një konsensus të plotë dhe do të ftoja opozitën që të shfrytëzojë orët, tik-taku duhet të kumbojë në vesh fort atyre si përfaqësues të një elektorati, i cili për ne vlerësohet i rëndësishëm dhe nuk mund të mbyllim sytë përpara tij dhe për këtë arsye kemi shtrirë dorën e konsultimit për të kaluar një paketë kushtetuese, e cila është vetëm njëri hap”.

Hyseni shtoi se hapi tjetër do të jetë në vjeshtë pikërisht implementimi i atyre ndryshimeve të nevojshme dhe të domosdoshme, të cilat vijnë si pasojë e këtyre ndryshimeve kushtetuese.

I pyetur se pse në Këshillin Politik është e vështirë gjetja e një dakordësie mes palëve, Hyseni tha se, “në një dialog kërkohet që të dy palët të kenë mendimet e tyre, por edhe të kenë tërheqjet e tyre. Mazhoranca ka bërë tashmë tërheqjet maksimale. Të mos harrojmë që kjo nuk ka filluar sot, kjo tryezë, ky Këshill Politik. Është një proces prej kohësh ku në fakt pritshmëritë e vet qytetarëve shqiptarë, por edhe tonat kanë qenë shumë më të mëdhaja. Dhe për shkak të tekave dhe kapricove të opozitës ne jemi të detyruar të pranojmë kompromisin, duke u tërhequr nga shumë aspekte të rëndësishme. Sikurse ishte një nga çështjet kryesore, depolitizimi i administratës zgjedhore”.

“Ju e shikoni me zhvillimet që ndodhin këto ditë sigurisht em rastin e djeshëm të SPAK-ut, që veprojë mbi një pjesë të komisionerëve të disa qendrave votimi në Durrës. Problemi është kaq i thellë dhe kërkonte adresim të menjëhershëm. Tërheqja nga kjo ndodhi për shkak të kërkesave të opozitës dhe jo tonat. dhe en si mazhorancë duke pasur përgjegjësi jo vetëm për çështjen e integrimit, por në tërësi përgjegjësitë janë të mazhorancës edhe për bërjen e  reformave dhe të procesit zgjedhore. Jemi detyruar të tërhiqemi, por ka një limit të tërheqjes. Ka disa konture përtej të cilave ne nuk lënë votuesit tanë që të kalojmë. Ne nuk na lë ndërgjegja jonë dhe detyrimet tona kushtetuese. Këto konture janë parimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe mandati që na kanë dhënë njerëzit”, tha Hyseni.

“Ne nuk kemi mandat të negociojmë përtej këtyre gjërave. Ne kemi një kufi dhe brenda këtyre kufijve jemi të gatshëm të diskutojmë. Pjesa tjetër është e drejtë e opozitës. Ne nuk e marrim me dhunë për të pranuar konsensusin e tyre. Me apo pa opozitën nesër do të votohen ndryshimet kushtetuese. Unë uroj që të jetë me opozitën jashtë parlamentit dhe jo vetëm me atë parlamentare”, u shpreh ai.

I pyetur për listat e hapura, Hyeni theksoi se, “nëse ne do ta kishim bërë këtë reformë thjesht duke u nisur nga interesi jonë elektoral besoj që ne nuk do të ishim në rregull me ndërgjegjen tonë, me veten tonë, me parimet , me detyrën që na kanë ngarkuar qytetarët shqiptarë. Nuk bëhen reformat duke u nisur thjesht nga kalkulime elektorale. Ky është dhe gabimi i opozitës që çdo hap përpiqet ta kalkulojë me numrat e saj në të ardhmen, me interesin e saj politik dhe elektoral. Nëse do të bëjmë reformat sesi duhet të dalë rezultati në zgjedhjet e ardhshme për PS, akoma më pak për PD që flen e qetë dhe nuk an impenjon fare ne nuk kemi për të bërë asnjë hajër”.

“patjetër që ne kemi kalkulimet tona, por reformat bëhen, jo për një palë zgjedhje as për dy, bëhen për disa dekada. Dhe nëse ne do të bëjmë reformë për një palë zgjedhje s’kemi bërë asgjë, kemi bërë një vrimë në ujë dhe më mirë të mos i bënim fare”, u shpreh ai.

Sa i përket shtyrjes nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve për në shtator të shqyrtimit të projektligjit të amnistisë fiskale, Hyseni tha se, “unë jam relator. Kishte shumë gjëra për të diskutuar dhe për këtë nuk ka asnjë nevojë të ngutshme për ta kaluar tani, do ta kalojmë në shtator. Më tepër kohë deputetëve dhe palëve të tjera për t’u njohur. Janë çështje të rëndësishme”.

“Është një amnisti që duhet vlerësuar për rëndësinë që ka. Amnistia fiskale është mjaft e rëndësishme, një domosdoshmëri, për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm, të cilët kanë punuar nga dy apo tri punë dhe tani këto të ardhura t’i legalizojnë. Ne po synojmë të ndërtojmë një ligj që të mos lërë asnjë hapësirë për problematika në të ardhmen. E rëndësishme për ne është të bëjmë një punë pa prishur punë të tjera”, u shpreh Hyseni.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.