Akuzat për tendera/ Lleshaj-Murrizit: Trokisni tek dera e Prokurorisë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ “Trokisni tek dera e Prokurorisë dhe lërini ata ta bëjnë prokurorin, mos e bëni ju”, – kjo është përgjigjja që i ka dhënë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deputetit të PD-së në parlament, Myslym Murrizit, i cili akuzoi Ministrinë e Brendshme në lidhje me tenderin e uniformave të Policisë.

Ministri Lleshaj reagoi, duke i kërkuar Murrizit që t’i drejtohet Prokurorisë.

“Murrizi, po të ishit mjaftuar me pjesën e dytë të fjalës suaj, do të isha dakord edhe unë që me çështjet të cilat ju adresoni, duhet të merren ata që kanë profesion të merren, që janë prokurorët. Ju vendosët që fillimisht ta bëni prokurorin vetë, pastaj të kërkoni ndërhyrjen e Prokurorisë”, – tha Lleshaj.

“Unë po ju them diçka, fare të thjesht, të gjitha ato gjëra që ju cituat këtu, nuk i komentoj për arsye se nuk i di, sepse unë nuk merrem me asnjë shifër, me asnjë tender, me asnjë firmë, me asnjë sozi, me asnjë gjë me të cilat ju merreni dhe është zgjedhja juaj që të merreni me këto gjëra. Por do t’ju ftoja fare thjesht, mos i bëni ftesë Prokurorisë, ftesë publike, retorike, politike, por në qoftë se nuk e dini, jua tregoj unë adresën e Prokurorisë!” – shtoi Lleshaj.

“Shkoni trokisni atje, ҫojini ato gjëra që keni, sepse i bëni shërbim publikut nëse besoni që janë të vërteta, dhe kështu zgjidhet puna. Trokisni tek dera e Prokurorisë dhe lërini ata ta bëjnë prokurorin mos e bëni ju, se kam frikë se mos gaboni”, – vijoi ministri Lleshaj.

“Unë refuzoj të merrem me këtë dhe sfidoj këdo që i thotë vetes shqiptar, që të mundohet të gjejë qoftë edhe një nanogram lidhje midis atyre pisllëqeve, që përmendni me figurën time si Ministër i Brendshëm. Nuk mund të ketë kurrë në botë një lidhje dhe për këtë ju sfidoj të trokisni në Prokurori. Në qoftë se doni të bëni ose të konsumoni politikë tradicionale, bajate, jepini, jeni i mirëpritur t’i jepni dhe gëzojeni atë”, – tha Lleshaj.

Deputeti Murrizi tha se “para 15 ditësh i dhatë 23 mln euro për uniformat e Ministrisë së Brendshme me 30% artikuj më pak. Ftoj SPAK-un të mos flejë gjumë. Buxheti të mos përfundonte në xhepat atyre që iu njohin xhepat. Jo vetëm kjo ministri, por edhe objektet e tenderimeve të Shëndetësisë, apo e Mbrojtjes, apo agjenci të tjera duhet të jenë objekt hetimi i SPAK-ut”, – tha Murrizi.

Deputeti Murrizi tha se nuk ishte akuzë personale ndaj ministrit.

Nuk thashë që keni firmosur ju tendera. Jam i qartë që nuk besoj të ketë trokitur ndonjë kokërr leku në xhepin tat, flasin shumë që ti je në gjumë kur vijnë paratë në ministri. Ju keni kryetar të komisionit të tenderave në ministri? Jo, pra jo, po të kem gjë për ty nuk më dridhen leqet e këmbëve ta them”, – tha Murrizi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.