Miliona euro pasuri, Balla: Shkëlzen Berisha si do e justifikosh fabrikën në Gërdec, më mirë lërja SPAK-ut

TIRANË, 28  korrik/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Shkëlzen Berishës t’ia lërë në dorë SPAK-ut, justifikimin e fabrikës në Gërdec, për të cilën Shkëlzen Berisha është akuzuar në medie.

Balla pyet Shkëlzen Berishën si do i justifikojë miliona eurot për të cilat akuzohet. “Zen, gjyqet me mua kollaj, po si i bëhet tërë atyre milionave euro që nuk justifikohen dot as me sharje, as me kërcënime dhe as me fotot e jetës tënde luksoze nëpër ishuj e nëpër gadishuj të planetit?!” – shprehet Balla.

“Po ti s’ke faj, se nuk i kemi ngjarë babit tënd ne që u plak duke hedhur baltë dhe nuk jemi as si hienat e babit që u shkoi jeta duke na u turrur nëpër familje! E megjithatë dreqi e mori, ato udhëtimet e tua pishinë më pishinë dhe oqean më oqean, shumë të kushtueshme duken mor Zen!” – vijoi Balla.

“Të paktën nga fotot kështu na duken ne sheikëve të dalë nga fantazia e babit, po mbase i ke bërë me fotoshop dhe s’të kemi ngacmuar për to! Po kjo fabrika në Gërdec shumë e madhe o Zen për t’u bërë fotoshop!” – shprehet Balla.

“Nuk di si do e justifikosh këtë dreq fabrike dhe dëgjo mua, më mirë lërja Spakut se do mbetesh në tualetin e Gjykatës po u përballëm bashkë për këtë punë. Si të duash, këtu jam unë zgjidh dhe merr po vetëm një gjë ta dish: Edhe si sekser (ndërmjetës siç thua ti) je shumë dembel! Aq dembel sa të ngeli fabrika zbuluar dhe as babi nuk ta fsheh dot më”, – thekson Balla.

Balla iu referua të dhënave të gazetës “Shqip” e cila analizoi deklaratat e pasurisë së Sali Berishës, ku në seksionin e fundit është edhe djali i tij, Shkëlzeni. Sipas deklaratave të pasurisë, të siguruara nga Gazeta “Shqip”, Berisha ka fituar miliona lekë nga konsulencat apo ndërmjetësimet. Kështu në vitin 2012 në deklaratën e pasurisë së ILDKP-së, që i përket vitin 2011, rezulton se ka fituar nga konsulenca ligjore shumën e 5,668,384 lekëve, ose rreth 50 mijë eurove.

Pikërisht në vitin 2014 (sipas deklaratës së pasurisë të vitit 2015), djali i ish-kryeministrit do të deklaronte se ka fituar 210 mijë euro nga ndërmjetësimi, nga roli i sekserit që ka realizuar, ndërsa 1 milionë lekë i ka përfituar nga konsulenca teknike. Këto të ardhura ndër vite, kanë ndikuar që Berisha, të deklarojë një vit më vonë se ka përfituar edhe 600 mijë euro nga shitja e pasurisë të paluajtshme, pasuri kjo e krijuar falë rolit të tij si ndërmjetës, profesion i ushtruar ndër vite.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.