Zemaj: Qeveria shpejt vendos për masat e reja për Kurban Bajram dhe çerdhet

PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Numri rekord prej 276 të infektuarve me koronavirus sot dhe 8 të vdekur, mbetet shqetësues për profesionistët shëndetësorë në vend.

Ndonëse në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga qytetarët që të respektohen masat për parandalimin e Covid-19, duke mbajtur maskat, distancën dhe higjienën.

Ministri Zemaj po ashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt Qeveria e Kosovës do të nxjerrë vendime për masa të reja të lëvizjes dhe për faljen e namazit të Kurban Bajramit , derisa, ka thënë se kjo ministri ka vlerësuar se çerdhet duhet të hapen.

Ai tha se dje dhe sot janë bërë vlerësimet për të ndërmarrë masat e reja nga Qeveria.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Klinikën Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se në SHSKUK janë të spitalizuar 598 pacientë, prej tyre në gjendje kritike janë 43 pacientë.

Ajo ka shtuar se është shqetësues numri i madh i rasteve që janë konfirmuar sot pozitiv.

Ndërsa, në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, i cili ka treguar për donacionin e gjysmë milioni maskave, ndërsa ka bërë thirrje të mbahen maskat e të mos drejtohet gishti kah Qeveria.

Zëvendëskryeministri Tahiri theksoi se duhet gjobitur të gjithë njëjtë për mosrespektim të masave, qoftë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa, ministri Zemaj po ashtu ka bërë të ditur se janë angazhuar 200 profesionistë në funksion të menaxhimit të pandemisë. Po ashtu ka treguar se janë planuar disa aplikacione për licencimin e laboratorëve dhe institucioneve private për testime për COVID-19.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.