SAN HOSE – Kosta Rika zhvillon pajisjen për dezinfektimin e maskave mbrojtëse njëpërdorimshe

SAN HOSE, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Kosta Rika ka zhvilluar dhe po teston një pajisje të re për dezinfektimin e maskave njëpërdorimshe, për të përballuar mungesën e pajisjeve mbrojtëse kundër COVID-19.

Prototipi, i zhvilluar nga shkencëtarë të Institutit Universitar Teknologjik të Kosta Rikës (TEC) dhe kompanisë private “Plasma Innova”, ka për qëllim të dezinfektojë maskat N95, të cilat ofrojnë mbrojtjen më të mirë kundër virusit.

“Me sa dimë, Kosta Rika është i vetmi vend në botë që do të përdorë këtë teknologji për të dezinfektuar maskat N95”, vëren inxhinieri dhe profesori i TEC, José Asenjo.

Pajisja kombinon veprimin e rrezeve ultravjollcë dhe teknologjinë e përpunimit të plazmës, e përdorur zakonisht për të pastruar pajisjet mikroelektronike.

Ajo tashmë ka kaluar testimin kombëtar dhe duhet të testohet nga një laborator ndërkombëtar i miratuar nga OBSH./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.