Manja: Rastet kur Meta shkeli Kushtetutën, por që nuk çojnë në shkarkimin e tij

TIRANË, 27  korrik/ATSH/ Veprimet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 si dhe mosrespektimi i afateve kushtetuese dhe mekanizmave zhbllokues për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nuk përbëjnë domosdoshmërisht shkak të mjaftueshëm për shkarkimin e Presidentit.

Ky është konkluzioni i raportit të Komisionit Hetimor të Posaçëm parlamentar të ngritur me firmën e 55 deputetëve të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, duke iu referuar dy pikave: Shfuqizimit të dekretit të Presidenti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershor 2019, si dhe për shkeljen e afateve të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, në cilësinë e kreut të Komisionit Hetimor, gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ku në rend të ditës është diskutimi dhe votimi i raportit final të komisionit, duke lexuar konkluzionet e raportit ka theksuar se shkeljet nuk përbëjnë domosdoshmërisht shkak të mjaftueshëm për shkarkimin e Presidentit.

“Natyra delikate e objektit të komisionit hetimor, justifikon zgjatjen e kohës së punës së këtij komisioni. Komisioni hetimor, që pata fatin të drejtoj, ka ezauruar plotësisht planin e veprimit, duke miratuar me vendim përfundimtar dhe raportin e Komisionit Hetimor. Raporti përfundimtar i Komisionit hetimor miratuar në 20 korrik ka 49 faqe, bashkëngjitur këtij raporti është plani i hetimit, vendimmarrjet përkatëse dhe të gjitha aktet e administruara nga ky komision hetimor, 44 faqe janë votuar nga shtatë kolegë deputetë që përbëjnë dhe raportin përfundimtar, ndërsa 5 faqe janë mendimi i pakicës, më konkretisht dy kolegëve, Halit Valterit dhe Alban Zeneli”, – tha Manja.

“Komisioni hetimor dhe Gjykata Kushtetuese në instancë të fundit gjykojnë vetëm në bazë të fakteve dhe provave të administruara, ndërsa seanca plenare është ajo që i jep dhe vlerësim politik kërkesës për shkarkimin e presidentit të Republikës. Edhe nëse seanca plenare vlerëson dhe voton me votë shkarkimin e Presidentit të Republikës do jetë Gjykata Kushtetuese që jep verdiktin përfundimtar”, – sqaroi Manja.

“Komisioni hetimor kishte objekt kontrollin e ligjshmërisë së punës së Presidentit për ligjshmërinë e procedurës së ndjekur nga Presidenti për çështjen e zgjedhjeve të qeverisjes lokale të 30 qershorit të viti të shkuar dhe së dyti, procedurat e realizuara nga Presidenti për emërimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, më konkretisht të zonjës Marsida Xhaferllari”, – sqaroi Manja.

“Komisioni hetimor zhvilloi 13 mbledhje, 2 seanca dëgjimore, një prej të cilave me Presidentin e Republikës. Kjo seancë dëgjimore u zhvillua më 9 shtator 2019. Një seancë me Kreun e KED, Ardian Dvorani. Ky raport analizon dhe i jep përgjigje kërkesës së 55 deputetëve që kërkuan ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Komisioni ka hetuar dhe analizuar të drejtën e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë drejtim është analizuar dhe hetuar respektimi i parimit të periodicitetit, unitetit të popullit, mosrespektimit të mekanizmave zhbllokues, mospërmbushjen e detyrimeve kushtetuese. Komisioni hetimor ka marrë në konsideratë Opinionin e Komisionit të Venecias për kompetencën e Presidentit për datën e zgjedhjeve”, – tha Manja.

“Nga procesi hetimor, rezultuan disa shkelje të kryera nga Presidenti, veprime dhe mosveprime të Presidentit, që janë në kundërshtim me Kushtetutën për të dyja objekt hetimet.

Komisioni hetimor arriti në përfundim se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të datës 5/11/2018 për caktimin e datës së zgjedhjeve për qeverisjen vendore, si dhe dekretin për emërimin e zonjës Xhaferllari në Gjykatën Kushtetuese, janë akte antikushtetuese. Fakti që për disa çështje, komisioni hetimor nuk mund të shprehet, duke mbajtur në konsideratë rolin e Kuvendit, janë shkelje që nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkimin e Presidentit, por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit kushtetues e ligjor për të mënjanuar situata bllokuese në të ardhmen”, – thekson Manja.

“Komisioni ka arritur në këto konkluzione: Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, Kompetencat e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, këtu referuar nenit 92 ka vetëm një kompetencë, vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve. Në nenin 94 presidenti i Republikës nuk mund të marrë vendime të tjera jashtë atyre që ndodhen në ligj. Ky është zotim i marrë përsipër nga ana e Presidentit ditën kur ai kryen betimin në sallën e Kuvendit, ku betohet se do i bindet Kushtetutës dhe do të mbrojë pavarësinë e Republikës së Shqipërisë. Presidenti mund të shtojë në betimin e tij dhe togfjalëshin: “Zoti më ndihmoftë”. Dhe në fakt në veprimtarinë e presidentit duke shfuqizuar dekretin e datës së zgjedhjeve, Presidenti i është referuar kësaj pjese: Zoti më ndihmoftë”, – shtoi Manja.

“Kompetenca e presidentit për të anuluar ose ndryshuar datën e zgjedhjeve duhet të jepet qartë në ligj. Të njëjtin mendim ka mbajtur dhe opinioni i Komisionit të Venecias, kur thotë se Presidenti ka vendosur duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve në mungesë të dispozitave ligjore. Komisioni hetimor ka vlerësuar dhe aspektin e sigurisë kombëtare, si një nga argumentat e përdorura nga Presidenti i Republikës në mbrojtje të aktit të tij, ku deklaronte se kishte dijeni për kërcënime të sigurisë në vend. Në aktet e regjistruara nga Komisioni hetimor i referohet ngjarjeve që mund të ndodhnin gjatë mitingut të 8 qershorit të partive opozitare. Por çuditërisht zhdekretimi ndodhi më 10 qershor, dy ditë më pas. Për sa më sipër komisioni hetimor i gjen të pabazuara argumentet e Presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare, për sa kohë s’kishte asnjë vendim të institucioneve kompetente për situatë të jashtëzakonshme. Këtë kompetencë për gjendje të jashtëzakonshme e ka Këshilli i Ministrave. Në situatat kur përbëjnë rrezik, Presidenti në rolin e garantit të unitetit kombëtar mund të drejtojë thirrje për dialog, vetëpërmbajtje, ose bashkëpunim për uljen e tensioneve, por s’ka kompetenca për shpalljen e gjendjeve të jashtëzakonshëm, veç se për shpalljen e gjendjes së luftës kur i kërkohet nga Këshilli i Ministrave”, – thekson Manja.

“Në konkluzionin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve nuk është kompetencë e Presidentit as në masa të jashtëzakonshme dhe dukshëm që në qershorin 2019 nuk ishim në kushtet e të qenit në kohë të jashtëzakonshme. Në vendin tonë fushata, por edhe zgjedhjet u zhvilluan në kushte qetësie. Po ashtu u analizua e drejta për t’u zgjedhur, ku çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në këtë sens u cenua dhe sovraniteti i popullit që kanë të drejtë në mënyrë periodike të zgjedhë përfaqësuesin e tyre, ashtu si dhe partitë politike kanë të drejtë të garojnë mes tyre për t’u zgjidhur nga populli për t’i përfaqësuar. Anulimi i datës së zgjedhjeve u ka mohuar të drejtën kushtetuese shtetasve shqiptarë, duke ndërhyrë në një proces zgjedhor ku afatet ishin përcaktuar. Procesi zgjedhor në lidhje me datën 30 qershor ishte realizuar në masën 90%. Komisioni i Venecias për këtë çështje u shpreh: Anulimi i zgjedhjeve prek të drejtat zgjedhore, vetë parimi i tërheqjes së dekretit nuk është proporcionale me këtë ndërhyrje”, – tha Manja.

“Komisioni hetimor ka hetuar dhe parimin e sovranitetit, periodicitetin, periudhën zgjedhore. Kushtetua në nenin 2 parashikon se në Republikën e Shqipërisë sovraniteti i përket popullit dhe Presidenti me dekretin e tij, duke anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, si datë për të mbajtur zgjedhjet, në këtë kuptim, i ka hequr sovranit të drejtën për të qenë i tillë.

Presidenti ka cenuar parimet kushtetuese të periodicitetit, periudhën zgjedhore dhe sovranitetin. Po ashtu Presidenti cenoi dhe unitetin e popullit, kur deklaroi se nuk mund të zhvillohen zgjedhje pa marrë pjesë disa subjekteve politike që nuk u regjistruan sipas parashikimeve dhe afateve ligjore. Lidhur me këtë pjesë, Komisioni i Venecias, në opinionin e saj thekson se bojkoti i një grupi partish, që edhe pse përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të bëhen shkak për anulimin e zgjedhjeve, pasi kjo do të bëhej një rrugë për bllokimin e këtij procesi edhe në të ardhmen”, – tha Manja.

“Zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht të gjitha sa më lart u zhvilluan në qetësi dhe me korrektësi të plotë. Zgjedhjet e 30 qershorit u vëzhguan nga OSBE dhe organizma të huaja. KQZ shpalli mandatet e kryebashkiakëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë. Vërtet dekreti u bë shkak për disa situata kaosi dhe dhune në ato bashki që u drejtonin nga partitë jashtëparlamentare, por u menaxhuan me sukses nga institucionet ligjzbatuese. Zyrat e komisioneve zonale si në Shkodër apo Tropojë, u dogjën gjatë protestave të opozitës jashtëparlamentare, këto episode dhune ishin të izoluara dhe organet e rendit e menaxhuan me profesionalizëm. Konkretisht, zgjedhjet u zhvilluan edhe përkundër deklarimit të Presidentit se këto zgjedhje janë të pavlefshme dhe pa pasoja juridike, ku ai ndërmori dhe hapa ligjore për të parandaluar realizimin e tyre. Asnjë organ shtetëror nuk respektoi dhe zbatoi dekretin që parashikonte zgjedhje në 13 tetor. Është e qartë se çdo funksionar i lartë shtetëror duhet t’ia nënshtrojë vullnetin e mirë ligjit dhe Kushtetutës. Marrë së bashku në tërësi, pasojat e ardhura dhe duke mbajtur parimin e kontrollit dhe balancave dhe opinionin e Komisionit të Venecias, Komisioni Hetimor çmon se vendimi i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, nuk përbën domosdoshmërisht shkak të mjaftueshëm për shkarkimin e Presidentit. Me qëllim evitimin e precedentëve negativë është detyrë e Kuvendit të ndajë kompetencat formale dhe substanciale si dhe mekanizmat zhbllokues për të garantuar që situatat bllokuese të bazuara në qëllim të mirë, por jo në Kushtetutë të mos ndodhin në të ardhmen”, – tha Manja.

Kreu i Komisionit Hetimor duke iu referuar konkluzioneve të raportit tha se edhe në pikën e dytë të punës së këtij komisioni, pra hetimit për vendimin e Presidentit për emërimin e zonjës Xhaferllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka rezultuar me shkelje në Kushtetutë.

“Presidenti nuk ka respektuar afatet kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu Presidenti nuk ka respektuar mekanizmat zhbllokues, sipas parashikimeve Kushtetuese, ashtu sikurse Presidenti me mosveprimet e tij nuk ka respektuar procedurën e betimit të anëtarit të zgjedhur automatikisht në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu Presidenti ka ndërhyrë edhe në pavarësinë e KED në procesin e emërimeve, përmes shkresës me datë 31/08/2019, i cili i tërhiqte vëmendjen KED për procedurën”, – tha Manja.

“Nga hetimi rezultuan disa shkelje të kryera, veprime dhe mosveprime. Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferrllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte dhe vlerësime antikushtetuese. Shkeljet nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkimin e presidentit, por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen. Për institucionin e presidentit duhet një ligj organik”, – tha Manja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.