Lufta e Koplikut/ Meta: Simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 100-vjetorin e luftës në mbrojtje të kufirit veriperëndimor të Shqipërisë, e njohur si “Lufta e Koplikut”.

Meta shprehet se, “lufta heroike në mbrojtje të kufirit veriperëndimor të Shqipërisë, e njohur si “Lufta e Koplikut”, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë të shek. XX”.

“Kjo luftë është simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq për mbrojtjen, deri në sakrificën më sublime, të integritetit territorial të shtetit shqiptar, të pavarësisë e sovranitetit të tij.

Në 100-vjetorin e kësaj lufte, kujtojmë me nderim e mirënjohje dhe përulemi para veprës së figurave të shquara të kombit, Bajram Currit e Ahmet Zogut dhe qindra heronjve malësorë nga Dukagjini, Kopliku, Gruda, Traboini, Kastrati, Shkreli, Gruemira, Bajza, Grizha, Buza e Ujit, luftëtarëve të paepur nga Plavë-Gucia, nga Kosova e nga Shkodra, si dhe vullnetarëve nga vise të tjera shqiptare, që, të frymëzuar nga ndjenjat më të lartë të atdhedashurisë, dhanë gjithçka për mbrojtjen e kufijve territorialë të Shqipërisë”, shprehet Presidenti.

Meta thekson se, “Malësia e Madhe, fisnike dhe e mençur, e cila mbajti peshë të rëndë në këtë luftë, edhe kësaj here dëshmoi se është krenaria dhe nderi i kombit. Lufta e Koplikut i dha një impuls edhe më të fuqishëm Luftës për çlirimin e Vlorës dhe mbarë Shqipërisë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.