LOS ANXHELES – Harry dhe Meghan padi për fotot e vjedhura të Archie

LOS ANXHELES, 26 korrik /ATSH-AFP/ – Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle depozituan një padi në Los Anxheles kundër një apo disa paparacëve, të cilët i akuzojnë se kanë fotografuar pa dijeninë e tyre djalin e vogël, Archie, në oborrin e  shtëpisë së tij, bëri të ditur avokati i tyre.

“Ky veprim është nxitur nga përpjekjet e pamëshirshme dhe tronditëse të mediave për të përfituar nga ndërhyrjet e vazhdueshme në privatësinë e një fëmije 14-muajshe në shtëpinë e tij dhe nga dëshira dhe përgjegjësia e çdo prindi për të bërë atë që është e nevojshme në mbrojtje të fëmijës së tij”, shkruhej në padinë.

“Çifti ka mësuar së fundi se dikush po ofron fotografi të djalit të tyre 14 muajsh, Archie për shitje duke pretenduar se i kishte marrë ato gjatë një dalje të fundit publike në Malibu”, thuhet në ankesën për cënim të jetës private.

“Por, Archie nuk ka qenë në publik, e për më tepër në Malibu, që kur familja ka mbërritur në Kaliforni”, shtojnë Harry dhe Meghan, për të cilët fotot janë marrë në të vërtetë gjatë aktiviteteve në kopshtin e residencës së çiftit, pa dijeninë e tyre.

Ankesa që parashikon individë të paidentifikaur mbështetet në ligjin kalifornian që ndalon marrjen e imazheve të kujtdo në shtëpinë e tyre, madje dhe jashtë pronës.

“Duka dhe Dukesha e Sussex-it e depozituan këtë ankesë për të mbrojtur të drejtën e intimitetit të djalit të tyre të vogël (…) dhe për të zbuluar dhe ndaluar ata që kërkojnë të përfitojnë nga këto akte të paligjshme”, deklaroi avokati i çiftit princëror, Michael J. Kump, në një komunikatë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.