“Shkëlzen Berisha, kredi 1.8 mln euro me kolateral pronat e krimit në Gërdec”/ Balla: Kallëzim i plotë për këtë skemë pastrimi parash korrupsioni

TIRANË, 24 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka reaguar në lidhje me krijimin e BKH-së duke theksuar se dosjet e korrupsionit do të hetohen.

Balla thekson se Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK të hetojnë çdo dosje korruptive.

“Sa herë që mbi dy djemtë e Sali Berishës, Zeni dhe Luli, dalin prova të rënda të korrupsionit, ata nuk përgjigjen, duke i bërë bisht përgjegjësisë publike. Zeni ia le babait t’i dalë në mbrojtje, ndërsa Luli ia kalon kunatit. Zeni nxorri sot Saliun të merrej me një Zyrë Poste në Librazhd, ku ndahet ndihma ekonomike për familjet në nevojë”.

Po ashtu Balla shton se “çështja është e thjeshtë: Shkëlzen Berisha ka marrë nga banka kredi 1.8 milionë euro me kolateral pronat e krimit makabër në Gërdec. Si u bë Zeni pronar i atyre pronave milionëshe?! Bashkëngjitur edhe akti i shitblerjes. Kush ëndërroi apo u zhgënjye se Berishët dhe Lulat ia hodhën pa u përballur me drejtësinë, e ka shumë gabim. Në ditët në vijim një kallëzim i plotë për këtë skemë pastrimi parash korrupsioni”, shprehet ai. /j.p//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.