OFL u dërgon formularin e vetëdeklarimit tre të dënuarve për vjedhje dhe prodhim e shitje narkotikësh

TIRANË, 24  korrik/ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin e vetëdeklarimit tre personave të dënuar për vjedhje me dhunë apo prodhim e trafikim narkotikësh.

Sipas njoftimit të Policisë, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. H., banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; E. M., banues në Pogradec, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim; L. Gj., banues në Vorë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.