Kosovë/ Dy mjekë me COVID-19, humbin jetën

PRISHTINE, 24 korrik /ATSH/ -Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u ka shprehur ngushëllime dy familjeve të mjekëve që humbën jetën sot nga COVID-19.

Zemaj tha se reumatologu Sylejman Rexhepi dhe kirurgun Ali Tolaj, do t’u mungojnë familjeve të tyre, pacientëve dhe shtetit tonë, por vepra e tyre do të jetë një udhërrëfyes për brezat që vijnë, në veçanti për ata që do ta studiojnë mjekësinë.

Ministri Zemaj shtoi se COVID-19, po dëshmon ditë e më shumë se është një kërcënim i madh për jetën e njerëzve.

“Shëndetësia kosovare ka humbur sot dy profesionistë të çmuar: Reumatologun Sylejman Rexhepi dhe kirurgun Ali Tolaj. Profesorin Rexhepi e pata vizituar personalisht gjatë trajtimit të tij në QKUK dhe në këtë ditë të ndarjes nga ai, jam i prekur nga vdekja e tij dhe kirurgut Tolaj. Ata, do t’u mungojnë familjeve të tyre, pacientëve dhe shtetit tonë, por vepra e tyre do të jetë një udhërrëfyes për brezat që vijnë, në veçanti për ata që do ta studiojnë mjekësinë”, shprehet ministri.

“Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin tim të thellë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë me familjet e tyre, u bëj thirrje popullatës që të rrisin kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse COVID-19, po dëshmon ditë e më shumë se është një kërcënim i madh për jetën e njerëzve. I përjetshëm kujtimi për profesorin Rexhepi dhe kirurgun Tolaj”, u shpreh Zemaj. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.