COVID-19/ Zero tolerancë për individë dhe subjekte-Mbi 124 mijë inspektime, 490 masa me gjobë dhe pezullim aktiviteti

TIRANË, 24 Korrik/ATSH/ Taskforca antiCOVID ka vijuar punën në terren me masa të shtuara për kontrollin dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në 24 orët e fundit Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Taskforcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 1469 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit. Nga kontrollet janë marrë në total 5 masa administrative: 3 masa administrative me gjobë në bar-kafe dhe 2 vendime të ndërmjetëm për pezullim të aktivitetit në institucione publike. Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Berat, Shkodër, Tiranë.

Në total gjatë kësaj periudhe (të epidemisë) janë kryer mbi 124 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur 490 masa administrative me gjobë dhe pezullime aktiviteti për subjekte të gjetura në shkelje të protokolleve për parandalimin e SARS COV2. Në ditët e fundit rreth 30 individë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin e ri të Qeverisë, i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjienës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID-19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura.

Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.