Vota e 30 korrikut për marrëveshjen me opozitën parlamentare, garanton hapjen e listave për të dëgjuar më shumë zërin e qytetarëve

TIRANË, 23 korrik/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se listat e hapura janë një kërkesë e shumicës së qytetarëve shqiptarë.

“Dëgjova në mënyrë të përsëritur që Këshillin Politik e paska formuar një aleancë globale e SHBA, BE, OSBE/ODIHR-it dhe nuk e di kush tjetër. Nuk është e vërtetë. Këshillin Politik e ka krijuar vullenti ynë. Vullneti i PS, që është sot shumicë qeverisëse dhe që ka përgjegjësinë të shohë përtej kësaj salle në çdo aspekt, por dhe në aspektin politik, që përtej retorikës dhe përtej debatit të natyrshëm politik edhe atë që për arsye retorike e quajmë opozitë rrugore, ndonjëherë të mos harrojmë që është një realitet politik”, u shpreh Rama duke folur në Kuvend.

“SHBA, BE, OSBE/ODIHR dhe numëroni tjetër kë të doni, kanë dhënë një kontribut të çmuar në këtë proces. Pse? Për arsyen e thjeshtë se PD që kërkon të qeverisë Shqipërinë akoma nuk di të flasë shqip me shqiptarët. Jemi shqiptarë, jemi një palë tjetër, por merremi vesh shqip. Mund të biem dakord, mund të mos biem dakord. Unë nuk e pranoj dot që dhe në vitin 2020 na duhet që ne të flasim anglisht me njëri-tjetrin. Dhe kjo ka qenë një nga gjërat që i kam kërkuar Luzim Bashës në 2017-ën. Jo më anglisht me njëri-tjetrin, ne dhe partitë tona dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Jo më anglisht, se është turpi i botës. Nuk na respektojnë më shumë miqtë dhe partnerët, nëse ne u japim bujarisht detyra, që janë detyrat tona”, tha Rama.

Nga ana tjetër, theksoi Kryeministri, “kur ne kemi vetëdijen që po bëjmë gjënë e duhur për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jemi të gatshëm që mosdakordësitë edhe me miqtë dhe me partnerët t’i diskutojmë pa u tërhequr nëse nuk na bindin. Për këtë arsye jemi miq. Për këtë arsye jemi partnerë. Nuk jemi shërbëtorë të askujt. Por jemi të vetëdijshëm që nuk jemi as SHBA, as BE, as ndonjë superfuqi bërthamore, as ndonjë minisuperfuqi energjetike. Jemi një vend i vogël dhe jemi këtu ku jemi edhe falë miqve dhe partnerëve tanë. Nuk i vëmë ndonjëherë në diskutim detyrimet tona në kuadrin e aleancave të natyrave të ndryshme që nga aleanca ushtarake, deri tek aleancat e tjera, për çështje që shtrohen në institucione dhe në organizata ndërkombëtare. Nuk vëmë ndonjëherë në diskutim detyrat tona këtu për të mos lëshuar asnjë fije me prioritetet që janë tonat, por edhe të partnerëve tanë në radhë të parë që nga terrorizmi deri tek krimi i organizuar. Ama kur vjen puna për të vendosur do hapim listat, s’do hapim lista më vjen keq, por këtë e vendosim ne. Se pastaj do ishte fundi. Këtë e vendosim ne”.

“Nuk kemi asnjë problem që ta diskutojmë dhe t’ua themi, siç ua kemi thënë dhe siç besoj që do vazhdojmë t’ua themi deri kur të jetë e nevojshme. Po nuk besoj se do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë. Sepse ky Kuvend do të hapë listat në datën 30 korrik dhe kjo është marrëveshja këtu, e bërë edhe me opozitën që na ka rrokanisur kokën, e them dashamirësisht, që ditën e parë. Që kur ikën ata që ishin në radhët e para dhe Myslymi dhe Rudina që ishin nga fundi erdhën këtu përpara, filloi daullja: ‘lista të hapura, lista të hapura’ dhe nuk u ndal kurrë”, tha Rama.

“Tani është në nderin tonë, nuk është në dobësinë tonë, që ne këtë daulle me vështirësi edhe për arsye të rrethanave që u krijuan, filluam ta dëgjojmë. Është në nderin tonë, nuk është në dobësinë tonë, që meqë thamë jo, sot themi po. Pse themi po? Jo se e thotë Myslym Murriz apo Rudina Hajdari, por themi po, sepse konstatimi ynë është që e duan shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ne e kemi bërë punën tonë, detyrat tona. Sigurisht nuk e fsheh që rrethanat pas marrëveshjes së 5 qershorit që krijoi gjithë atë ilaritet mes jush dhe nga një anë mungesa e 84 votave, por dhe vullneti për t’u marrë vesh me ju, jo për të kërkuar një polic të zhveshur dhe një diversant të zbuluar, për të bërë 84 vota, na bën që ne të thellohemi më shumë në këtë temë, dhe qoftë nga anketimet tona që i bëjmë normalisht, qoftë dhe nga gjithë komunikimet dhe me njerëzit tanë, dhe me bazën tonë, kuptuam që shumica i do listat e hapura. Atëherë, çfarë problemi kemi ne për të thënë jo? Problemi që meqë thamë jo dikur do rrimë ke JO-ja. Jo. Çurçilli thotë, budalla është ai që nuk ndryshon mendim. Ne kemi të metat tona, por budallenj as na bën dot kush, e as nuk kanë munguar rastet për ta provuar se kur na bëjnë për budallenj marrin kosto të madhe për veten e tyre”, tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.