“Ndryshimet kushtetuese më 30 korrik”/ Koalicionet do kalojnë nga një formulë që se ka askush në një formulë që e kanë të gjithë

TIRANË, 23 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama duke deklaruar votën e tij pro marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend, u shpreh sot se ai do ta shtypte butonin për Lulzim Bashën, dhe gjithë të tjerët do të votonin për ata që mungojnë në sallën e parlamentit.

“Mungojnë se e zgjodhën vetë atë rrugë. Nuk do e shtypim butonin se kjo është gjëja që ne na intereson më shumë dhe se është gjëja që ne e morëm në këtë negociatë. Jo, ne s’e morëm fare. Në këtë negociatë ashtu si rrodhi procesi ne kemi bërë vetëm një gjë. Ju kemi thënë ‘çfarë doni ju, shkruajeni’. Jo siç thoshte Saliu, kur ishte këtu. Nuk është e vërtetë ajo. Asnjëherë nuk është bërë kështu. Asnjëherë një opozitë nuk ka pasur mundësinë ta kthejë përmbys komplet një proces dhe në fund të thotë le ta lëmë siç ishte dhe ashtu si ishte”, u shpreh Rama.

“Ikën nga parlamenti, morën molotovë, bënë gjithë atë revolucion imagjinar, humbën bashkitë dhe thonë ishim mirë ashtu siç ishim. Natyrisht sot janë më keq se ç’ishin, por jo për faj tonë. Dhe duke refuzuar, prapë sot që flasim që ta diskutojmë çështjen e marrëveshjes mes forcave parlamentare. Duke vazhduar sot që flasim me akuza dhe me sulme dhe me fyerje. Çfarë bëjnë? Të njëjtë gjë që kanë bërë gjithmonë. Dhe si u ka dalë? Gjithmonë keq. A ka shanse që të dalë ndryshe nëse t’i përsërit të njëjtën gjë? Të njëjtën gjë do marrësh. Dhe insistimi i opozitës jashtëparlamentare për të thënë se këtu mbyllet gjëja dhe ju që jeni në këtë Kuvend nuk ekzistoni, në fakt nuk bën asgjë tjetër, veçse i çon ata në të njëjtin përfundim, nëse vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim”, theksoi Rama.

“Por nuk do ta mbajnë këtë qëndrim. Do të shikoni që pas pushimeve do të vijnë të energjizuar dhe të vetëdijësuar se ka ndodhur diçka. Ka ndryshuar baza, ose më saktë, ka ndryshuar në nivelin më të lartë Kushtetuta e Republikës, një pikë që na detyron të reflektojmë në ligjin zgjedhor mekanizmat e zbatimit”, vuri në dukje Kryeministri.

“Tani nëse ata do të duan të rrinë jashtë, ju siguroj se ne nuk do të vazhdojmë të përpiqemi t’i sjellim brenda, sepse nuk është më koha për t’u marrë me këtë proces edukativ që mua më ka takuar ta bëj edhe më parë, që Partisë Socialiste i ka takuar ta bëjë vijimësisht, dhe nuk është se ka dhënë rezultate inkurajuese në tërësi”, tha ai.

Rama theksoi se pas votimit të dakordësisë së 5 qershorit, votohet edhe dakordësia mes forcave parlamentare më 30 korrik.

“Pretendojnë se Këshilli Politik nuk e paska mbaruar punën, paska dhe ca gjëra të tjera. I themi dakord, hajdeni diskutojmë çfarë janë ato gjërat e tjera, por ndërkohë kemi dhe këtë gjënë tjetër këtu që duam ta diskutojmë me ju. Ju s’mund ta ndryshoni dot, sepse nuk mund ta ndryshojnë as ata, as ne, çfarë është shkruar aty. Thjesht më 30 korrik e votojmë, ose nuk votohet, në kuptimin fiton apo jo, por ndryshime aty nuk ka më, se e tillë është procedura”, theksoi Kryeministri Rama.

“Por ama ka gjëra për të diskutuar se thonë do ndalohen koalicionet, se kanë hallin mos i ndajmë me zor. Ne nuk duam që ata të ndahen, ne duam që ata të rrinë bashkë. Në këtë rast është interes puro politik. Nuk është interes për vendin. Nuk është në interes për zgjedhësit e PD sepse do të duhet të shkojnë të votojnë për sh.p.k e zgjeruar me aksionerë të rinj dhe një nga aksionerët është PD”, tha Rama.

“SHPK s’e kam thënë unë, e ka thënë kryetari i partisë, i PD-së. Nëse ata u japin demokratëve këtë gjellë të ringrohur pas vitesh dhe pas një përfundimi që demokratët nuk e mbajnë mend me kënaqësi, punë e tyre. Por ama sigurisht se formula nga mënyra se si partitë futen bashkë në zgjedhje do ndryshojë. Si do ndryshojë? Do kalojë nga një formulë që s’e ka askush, në një formulë që e kanë të gjithë. Formulën e koalicionit që kemi sot nuk e ka askush, nuk ekziston, nuk gjendet”, tha Rama.

“Pyetja që i kam bërë Damian Gjiknurit dhe të gjithë atyre që kanë punuar me këtë punë është se ku ekziston tjetër kjo formulë. Të gjitha kërkimet kanë dështuar dhe në Google. Një koalicion ku jemi edhe bashkë, jemi dhe veç. Dhe parti më vete, edhe jemi në një listë të përbashkët. Nuk ekziston, është një prodhim vendas. E pyesim palën tjetër se ku ekziston ky koalicion? Në një libër thonë. Votojnë një tren ku duket lokomotiva, duket dhe ngjyra e lokomotivës dhe pastaj vagonat janë të gjitha me dritare të mbyllura, dhe pastaj votat kalojnë nga vagoni i fundit te vagoni i parë, dhe pastaj nga vagoni i parë tek i dyti. Pastaj kemi parti ne këtu në Shqipëri që marrin prej vitesh në zgjedhje 1/4, 1/5, 1/10 e votave në raport me firmat e themelimit të tyre. Kemi parti që marrin 300 vota, por me ato vota marrin para për hyrjen në zgjedhje”, tha ai.

Po ashtu, Rama shtoi se “këto çështje duhet të diskutoheshin”.

“Çfarë donim të bënim ne në Këshillin Politik ku ata nuk erdhën? Donim thjesht të diskutonim dhe të sqaronim këto gjëra që të mos mbetet kjo punë bam e bum në TV. Do ndalohen koalicionet, se kështu është puna. Jo, fare. Subjektet zgjedhore do të përcaktohen në kodin zgjedhor”, theksoi ai.

“Koha në të cilët bëhet kjo na qenka në kundërshtim të kodit e të praktikave të mira të vitit 2002. Ka dhe një deklaratë sqaruese të Komisionit të Venecias, se kuptohet se shumëkush e ka interpretuar në forma të ndryshme, por nuk po hyj në detaje teknike. Flitet si praktikë e mirë se ndryshimet që lidhen me zgjedhjet bëhen jo më vonë se 1 vit para zgjedhjeve. Nuk po hyjmë me kohë për mbylljen për shkak të COVID-it. Po mirë kjo e 5 qershorit çfarë është? E njëjta gjë. Tani si kjo qenka praktikë e mirë dhe ajo e 30 korrikut qenka praktikë e keqe kur të dyja lidhen me zgjedhjet dhe për me tepër kjo bëhet në parlament, ajo bëhet jashtë parlamentit. Kjo bëhet me deputetë, ajo bëhet me grupime politike që thonë se jo vetëm nuk e njohim parlamentin, por thonë se nuk njohin as godinën. Kjo që bëjmë na nderon ne”, u shpreh Rama.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës parlamentare, Rama tha se “ne, Partia Socialiste, në këtë marrëveshje s’kemi marrë asgjë”.

“PD ka marrë jo pak dhe nëse ju keni marrë po ashtu jo pak në raport me çfarë keni kërkuar, minimalisht duhet t’ju bëjë të reflektoni. Duhet të kuptoni se vota për 5 qershorin është detyrim”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.