Ndryshimet kushtetuese/ Gjiknuri-opozitës jashtëparlamentare: Mirëpres reflektimin për hapjen e listave, dërgoni propozimet tuaja

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka përshëndetur reflektimin e opozitës jashtëparlamentare e cila është shprehur e gatshme të japë kontributin e saj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.

Në një e-mail që Gjiknuri i ka nisur dy përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, shpreh gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë sapo ata të kenë dërguar paraprakisht propozimet për këtë çështje.

“E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, shpjegoi Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi se në mbledhjen e datës 21 korrik, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ftoi opozitën jashtëparlamentare të jepte kontributin e saj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

“Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore. Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 qershorit”, shprehet Gjiknuri.

Jo më larg se dje, thotë ai, keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen, por as nuk ekziston si temë.

“Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i mvishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë”, thekson më tej Gjiknuri.

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë. Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim, ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave”, deklaron Gjiknuri.

Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, vijon Gjiknuri, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.

“Duke ju rikujtuar se në datën 30 korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje”, shprehet Gjiknuri.

Gjiknuri i kërkoi përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare t’i linte mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. “Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mail-et e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike, sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj”, thotë ai.

Reagimi i Gjiknurit vjen pasi opozita e bashkuar përmes një e-mail-i drejtuar përfaqësuesit të Partisë Socialiste në Këshillin Politik, sqaron se nuk është refuzuar diskutimi i asnjë çështjeje në mbledhjen e sotme.

“Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill”, thuhet në email.

“Ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar”, thonë dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Pas letrës së Gjiknurit, opozita e bashkuar është përgjigjur duke theksuar se janë të gatshëm të diskutojnë nesër në mbledhje.

“Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!! Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!! Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur”, thuhet në përgjigjen e Bylykbashit dhe Vasilit.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.