Ndryshime të plota ligjore/ Kriminalizim ndërhyrjeve në objekte që mund të sjellin rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtesave

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Paketa e ndryshimeve ligjore qe parashikojnë ashpërsimin e dënimeve penale për ata ndërtues që abuzojnë në ndërtimin e objekteve të tyre, duke shkaktuar dhe dëme në jetë apo pasuri të njerëzve u prezantua sot nga tre ministra të kabinetit qeveritar, të cilët shpjeguan edhe pikat kryesore.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi se kjo paketë ligjore që do t’i prezantohet Kuvendit në ditët në vijim vjen e frymëzuar nga pasojat dramatike të tërmetit të 26 nëntorit që mori jetën e mbi 50 personave.

“Një vendim i cili vjen në kohën e duhur për t’iu përgjigjur me ndryshime ligjore pikërisht një situate e cila ka kohë që nuk ka një rregullim të qartë ligjor dhe që bën fjalë për përgjegjësitë civile dhe ato penale të të gjithë atyre të cilët zbatojnë projekte zhvillimore si dhe kryejnë ndërtime në territorin e vendit tonë”, – tha Gjonaj.

“Nisur dhe nga fatkeqësia natyrore e disa muajve më parë ku humbën jetën një numër i lartë njerëzish, nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, si pasojë e shembjes së banesave, pallateve dhe një sërë ndërtesash të tjera, u vu re që ka një boshllëk ligjor i cili nuk ndan qartësisht përgjegjësitë dhe rolet e ndërtuesve, të mbikëqyrësve të punimeve, të inxhinierëve apo të të gjithë subjekteve pjesë e zinxhirit të ndërtimeve”, – shtoi Gjonaj.

“Gjithashtu jemi të gjithë të vetëdijshëm që shumë ndërtime të bëra në territor kanë problematikat e tyre përsa i përket ndërtimeve pa leje, shkeljes së kushteve të lejeve zhvillimore dhe ato ndërtimore nga subjektet që i zbatojnë”, – tha ministrja Gjonaj.

“Duke mbajtur në konsideratë këtë mungesë të parashikimeve ligjore, një grup i përbashkët pune ndërministror së bashku me aktorë të tjerë, pas një analize të detajuar të problematikave konkludoi në një paketë ndryshimesh ligjore për t’i dhënë njëherë e mirë fund problematikave në drejtim të të gjithë atyre që kryejnë ndërtime pa leje kryesisht me fokus tregtar, ndëshkimit të subjekteve ndërtues që veprojnë haptazi në kundërshtim me lejen zhvillimore, rregullat e ndërtimit, të urbanistikës apo parashikime të tjera të posaçme që i përkasin në tërësi procesit të kontrollit dhe monitorimit të ndërtimeve”, – theksoi Gjonaj.

“Nëpërmjet kësaj pakete synojmë përcaktimin e përgjegjësisë penale të subjekteve që janë të përfshirë në procesin e ndërtimit të objekteve, të cilët kanë vepruar në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me rregullat teknike dhe përcaktimet ligjore në fuqi. Parandalimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale ndaj veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme kundër objekteve, të cilat sjellin si pasojë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të tyre, duke cenuar të drejtën e pronës, vënien në rrezik të jetës apo shëndetit të personave, e të tjerë”, – tha Gjonaj.

“Po ashtu, bëmë përcaktimin e përgjegjësive të zhvilluesit në rastet kur objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes duke parashikuar prishjen e punimeve kur sipërfaqja totale ndërtimore pa leje është 2%, sanksionimin e gjobës të barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje, prishje të objektit kur rezulton si shtesë kati apo volum anësor, konfiskim për interes publik të të gjithë pronës nëse tejkalon masën 50% të sipërfaqes totale, krahas dënimeve penale për subjektin”, – shtoi ajo.

“Përcaktimi i roleve dhe i përgjegjësive të projektuesve (grupit të projektimit) duke garantuar një përgjegjësi të shtuar të arkitektit, në cilësinë e drejtuesit të projektimit, në kontrollin e ligjshmërisë dhe saktësisë së projektimit. Monitorimin dhe kontrollin të të gjithë subjekteve që janë të përfshirë në aspektet ndërtimore, rritjen e kompetencave të institucioneve shtetërore veçanërisht inspektoriateve që verifikojnë dhe kontrollojnë punimet e ndërtimit; rregullimin e kuadrit legjislativ mbi përgjegjësinë profesionale dhe sistemin disiplinor ndaj profesionistëve të licencuar si projektuesit, zbatuesit, drejtuesit teknikë, mbikëqyrësit dhe kolaudatorët. Përfshirjen në “listë të zezë” të të gjithë zhvilluesve si pjesë e një veprimtarie tregtare në kundërshtim me ligjin, që përjashtohen nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet”, – tha Gjonaj.

“Ndryshimet e Kodit Penal parashikojnë: Kriminalizim për herë të parë në rastet kur kryerja e çdo veprimi tjetër me dashje që mund të sjellë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtesave, objekteve qytetare, veprave industriale, të infrastrukturës ose të çdo objekti tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve, e cila dënohet me gjobë ose burg deri në 5 vjet, dënimin me burg nga 5 – 10 vjet kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimin me 7 – 15 vjet burg kur nga vepra janë shkaktuar pasoja të rënda të shëndetit dhe jetës së njerëzve. Gjithashtu kriminalizohen për herë të parë veprimet të cilat kryhen në kundërshtim me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit nga projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit, kolauduesit e punimeve, dënohen me burg nga 1 – 5 vjet nëse janë marrë më parë masa administrative për ta”, – bëri me dije Gjonaj.

“Gjithashtu, në mbrojtje edhe të rasteve kur projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit dhe kolauduesit e punimeve nxitën me ose pa shpërblim apo detyrohen të kryejnë veprime të cilat shkelin ligjin, standardet profesionale apo lejen zhvillimore ose të ndërtimit, është parashikuar si veprim penal dhe që dënohet nga 1 – 5 vjet. Dhe si rrethana rënduese kur nga këto veprime kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi është 5-10 vjet, kur ka pasoja të rënda të shëndetit dhe jetës 7 – 15 vjet burg”, – nënvizoi Gjonaj.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se “sigurisht që mbrojtja e jetës së njerëzve, e pronës së tyre, por mbi të gjitha mbrojtja e territorit që është baza për ndërtimin e jetës dhe të prosperitetit, është objektiv i madh i qeverisë shqiptare. Dhe gjithë këto hapa, këto ndryshime ligjore synojnë pikërisht këtë, krijimin e kushteve të reja, marrëdhënieve të reja, siç u tha, edhe si reflektim ndaj mësimeve të nxjerra nga goditjet e rënda, që pësuam në vitin që shkoi nga tërmetet. Goditje që pasqyruan një akumulim të madh paligjshmërie dhe papërgjegjshmërie”.

“Ndryshimet ligjore sigurisht që janë të rëndësishme, janë të dobishme, por kanë nevojë për t’u realizuar në mënyrë që të mos mbeten thjesht një paketë qëllimesh të mira, është shumë e rëndësishme që ato të realizohen në terren. Për realizimin e tyre qëndron tashmë e gatshme një trupë e tërë institucionesh, inspektoratesh, Policia e Shtetit, autoritetesh, agjencish të ndryshme, të cilat do të përfshihen në një program shumë serioz, implementimi të këtyre kërkesave të rëndësishme ligjore”, – tha Lleshaj.

“Së fundmi, përveç ndërhyrjeve në ligj, që sapo u prezantuan, janë bërë edhe ndryshime e ndërhyrje të rëndësishme të karakterit administrativ për përgatitjen e institucioneve që do të zbatojnë këtë paketë të rëndësishme. Një ndër to është ndërhyrja dhe reforma e thellë që është bërë tek IKMT-ja, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili tashmë ka zgjeruar gamën e përgjegjësive të veta, duke marrë në përgjegjësi shumë çështje, që kanë të bëjnë me mjedisin dhe me territorin. Por mbi të gjitha është integrimi kësaj strukture me Policinë e Shtetit, me qëllim që të dyja këto institucione të veprojnë në mënyrë integrale për të shkurtuar dhe për të reduktuar burokracinë. Për të rritur eficiencën e ndërhyrjes dhe për të garantuar një zbatim uniform dhe të drejtë të kërkesave ligjore në fuqi”, – sqaroi ministri Lleshaj.

“Fokusi i punës tashmë siç edhe u paratha nga kolegët është jo vetëm ndërtimet pa leje, me të cilat tashmë jemi mësuar dhe kemi krijuar një farë tradite në adresimin e këtij fenomeni, por janë ndërtimet pa dhe me leje. Sepse kemi mësuar, kemi parë fatkeqësisht që edhe ndërtimet me leje mund të na shkaktojnë probleme të mëdha, kur ato nuk ndërtohen siç duhet”, – vijoi ai.

“Për këtë arsye IKMT-ja, Policia dhe Inspektoratet e tjera, qofshin ato të nivelit vendor, apo të nivelit qendror do të përfshihen në një program të madh të koordinuar angazhimi, në mënyrë që këto fenomene të marrin fund një herë e mirë”, – garantoi Lleshaj.

Ai u shpreh se “është e rëndësishme të theksoj edhe një gjë tjetër, që për arsye të mirënjohura tashmë që kanë të bëjnë me parametrat e përmirësuar të rendit dhe të sigurisë publike, është krijuar dhe fizikisht dhe konkretisht mundësia që Policia e Shtetit, të orientojë më shumë burime drejt këtyre fenomeneve, drejt këtyre shkeljeve, të cilat deri dje jo domosdoshmërisht kanë qenë në fokusin e vëmendjes së saj, për arsye të prioriteteve konkurruese”.

“Por duke qenë që parametrat e rendit dhe të sigurisë publike në vend, janë në nivele optimale, ndonëse ende ka punë për të bërë, policia e konsideron tashmë të mundshme orientimin e një sasie të mirë të burimeve të saj, edhe për të adresuar fenomene që lidhen me mbrojtjen e territorit në tërësi, ku ndërtimet me apo pa leje (ato me leje do të thotë me leje por jashtë kritereve) janë një pjesë e fokusit të saj”, – tha ministri i Brendshëm.

“Fokusi i punës së IKMT, Policisë dhe organeve të tjera do të jetë në radhë të parë ajo fushë, e cila prodhon më shumë dëme, pasoja për jetën ekonomike shoqërore në vend, për jetën, pasurinë e qytetarëve dhe kjo është zona më e urbanizuar e vendit, zona me përparësi turistike, zona bregdetare dhe zona e urbanizuar dendur, në të cilën ndodhin dendur edhe shkeljet më të rënda. Kjo duhet të jetë fokusi i Policisë së Shtetit, pra nuk do të jetë një qasje ekstensive, duke u marrë me gjithçka, por do të merret në fokus të veçantë, në zonën bregdetare dhe në zonën e ndërtuar rëndë ose në zonën urbane të ndërtuar dendur ku kapacitetet, të gjitha, të IKMT, të policisë do të fokusohen me theks të veçantë. Kjo nuk do të thotë që do të lihen jashtë vëmendjes zonat rurale, por fokusi do të përqendrohet këtu, sipas parimit: t’i angazhojmë forcat, mjetet dhe resurset aty ku risku për dëm është më i lartë sesa në zona të tjera”, – tha Lleshaj.

“Është me rëndësi të theksoj faktin se Policia, me këtë rast do të ketë vëmendje të veçantë edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës për implementimin e kësaj pakete ligjore. E thënë ndryshe, Policia nuk do të merret thjeshtë dhe vetëm me ata që bëjnë konkretisht mëkate në fushën e ndërtimit, por do të merret edhe me zyrtarët, të cilët mbyllin një sy, mbyllin të dy sytë ose nganjëherë bashkëpunojnë në mënyrë korruptive me ata që shkelin ligjin në fushën e ndërtimit”, – vuri në dukje ai.

“Gjithë kjo paraqitje e jona sot këtu i shërben një qëllimi të vetëm për të paralajmëruar në kohë të gjithë ata që kanë plane për të ndërtuar apo për t’u marrë me veprimtari të kësaj natyre, që të kenë kujdes që tani, paketën ligjore e cila është shumë e gjerë dhe paketa, siç e përmenda, nuk është thjesht një paketë qëllimesh të mira, por është një paketë e shoqëruar nga një program i madh zbatuese në mbështetje të të cilit janë një numër i madhe institucionesh, ku Ministria e Brendshme qëndron, Policia e Shtetit dhe IKMT, së bashku, por jo vetëm, janë institucionet e nivelit vendor, inspektoratet e tëra, është e gjithë qeveria në funksion të këtij qëllimi të madh, që synon të mbrojë jetën e qytetarëve, të mbrojë pasurinë e tyre dhe të mbrojë territorin mbi të cilin zhvillohet gjithë kjo jetë dhe kjo pasuri”, – përfundoi ministri Lleshaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.