Kodi Zgjedhor në Kuvend/ Murrizi: Kundër marrëveshjes së 5 qershorit

TIRANË, 23 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit demokrat Myslym Murrizi duke diskutuar në Kuvend për amendimet e Kodit Zgjedhor tha se marrëveshja e 5 qershorit nuk u duhet shqiptarëve, por tre kryetarëve të partive.

Murrizi tha se “74 deputetë nga ju, 23 nga krahu i opozitës i kanë dhënë 97 vota pro marrëveshjes së 5 qershorit. Disa për t’i bërë qefin Lulit, disa lokomotivë e futjes së Shqipërisë në BE, dhe nga sot Shqipëria do ulet këmbëkryq në BE”.

Duke iu drejtua Kryeministrit Rama, Murrizi tha se “unë votoj kundër, se nuk ngatërroj Kodin Zgjedhor me 5 qershorin”.

“Kodi Zgjedhor është një kod që u hyn në punë shqiptarëve, 5 qershori u hyn në punë tre kryetarëve. Kodi Zgjedhor duhet të kishte brenda rekomandimet e OSBE/ODIHR, sepse ata, jo unë, prej 5 palë zgjedhjesh ju kanë etiketuar me letër, me zë dhe me figurë si hajdutë votash. Kodi Zgjedhor dhe 5 qershori janë me mijëra kilometra larg me njëri-tjetrin. Ju u ulët më 5 qershor pas ortakllëkut të 14 janarit, nuk e di nga kush e sajoi Këshillin Politik, Bashkimi Europian apo Bashkimi Sovjetik, këtë do ta shpjegojë Rama seancën tjetër. 5 qershori juaj nuk është asgjë më shumë sa noterizim i 21 prillit 2018, ku ju bëtë pazar që të mos kishte marrëveshje, ku në këtë sallë pati grevë urie. 5 qershorin ta gëzoni, mirë do ishte ta quani marrëveshja e 1 qershorit. 5 qershori është betonizim në armaturë të re i ngrehinës të plasaritur të 21 prillit të 2008-ës, që shpresoj që do çahet si digë prej rëre në këtë sallë më 30 korrik nga 94 votat e deputetëve, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve që të zgjedhin dhe të votojnë”, tha ai. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.