Këshilli Politik/ Hajdari, thirrje PD-së të mbështesë listat e hapura: I duhen vendit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Deputetja Rudina Hajdari i bëri sërish thirrje Partisë Demokratike të mbështesë ndryshimet kushtetuese që do të miratohen më 30 korrik që lidhen me hapjen e listave.

Menjëherë pas përfundimit të takimit të Këshillit Politik, Hajdari i bëri thirrje edhe çdo demokrati dhe secilit që sipas saj është i zhgënjyer nga servilosja e njerëzve që futen në Parlament dhe nuk i përgjigjen kërkesave të qytetarëve të vazhdojnë të mbështesin listat e hapura.

“Vetëm kështu do të sjellim ndryshimin në Kuvend. Duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me lista të hapura, sepse në Kuvend nuk do të miratohen më koncesione, por ligje që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së jetës së qytetarit”, tha Hajdari.

Deputetët, tha Hajdari, sot nuk kanë fjalën e tyre të lirë dhe dëshirë për të luftuar për ata qytetarë që i votojnë. “Listat e hapura do e mundësojnë këtë dhe nuk ka njeri të ndalë këtë furtunë ndryshimi, sepse i duhet vendit. Edhe BE aplikon po të njëjtën metodë, sepse është mënyra më demokratike”, u shpreh deputetja opozitare.

Sipas saj, kur duhet të flasim për lista të hapura duhet të kemi konsensus të gjerë politik, prandaj, u shpreh ajo, “vij në Këshillin Politik”.

“Dua të mos ndaloj së reshturi për t’i shtirë dorën çdo demokrati që ndjehet i braktisur nga ata që kanë braktisur vullnetin e tyre për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri. Listat e hapura janë realiteti i ardhshëm në zgjedhjet e ardhshme. Është koha për të përqafuar këtë ndryshim”, tha Hajdari./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.