“Hapja e listave nuk prek sistemin zgjedhor”, Hyseni: Kërkesë jo vetëm e opozitës parlamentare por e shumicës dërrmuese të opinionit publik

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni deklaroi sot se marrëveshja e 5 qershorit nuk ishte produkti më i mirë i mundshëm dhe ajo që dëshironin shqiptarët dhe partia Socialiste, por ishte vullneti i opozitës jashtëparlamentare.

Në një intervistë në media, Hyseni u shpreh se për ta përkthyer në ligj këtë marrëveshje politike kërkohej një vullnet më tepër se i Partisë Socialiste, ndaj dhe ne bashkëpunuam me opozitën parlamentare.

Kjo marrëveshje, tha ai solli disa risi. “Fillimisht adresoi shqetësimet e PD dhe opozitës jashtëparlamentare, disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, si çështjen e financimit të fushatës zgjedhore, rolin e medieve, si dhe adresoi një kërkesë të hershme të PS-së për ta sjellë fushatën jashtë sezonit turistik”, tha Hyseni.

Hyseni tha se në këtë marrëveshje u adresuan edhe çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër shitblerjes së votës, përmirësimin e standardit duke thelluar aspektin penal, apo dhe çështje që kanë të bëjnë me regjistrimin e zgjedhësve.

Po ashtu, tha deputeti socialist, për herë të parë iu hap rruga votës së emigrantëve, u krijohet atyre mundësia e votës atje ku ata jetojnë e punojnë.

“Përtej këtyre, na u desh një kompromis, i cili duhet thënë, nuk ishte i vështirë, sepse Partia Socialiste e reflektoi edhe vullnetin e qytetarëve. Hapja e listave nuk ishte vetëm një kërkesë e opozitës parlamentare por një kërkesë e një shumice dërrmuese të opinionit publik. Dhe si e tillë PS nuk ka munguar kurrë të jetë në krah të shumicës së shqiptarëve”, deklaroi Hyseni.

Lidhur me këtë, Hyseni tha se marrëveshja e arritur me opozitën parlamentare nuk çon në ndryshim sistemi.

“Jemi brenda sistemit proporcional rajonal, thjesht me lista të hapura jo më pak se 2/3. Hapja e listave mundësohet me marrëveshjen që do të kalojë me datë 30 korrik dhe nuk prek sistemin elektoral. Është element i të drejtës së njerëzve për të zgjedhur”, vuri në dukje Hyseni.

Më tej, ai shtoi se mbajtja e 1/3 së mbyllur të listave synon mbrojtjen e një standardi të arritur tashmë nga Shqipëria që ka të bëjë me përfaqësimin gjinor./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.