Cakaj takon kryetarin e komunës së Gjilanit: Dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka pritur sot në një takim kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Gjatë takimit, ministri Cakaj vlerësoi punën e Hazirit në komunën e Gjilanit dhe mbështetjen e pakursyer në procesin e bashkimit të partive politike në Luginën e Preshevës.

“Nënvizuam bashkërisht rëndësinë që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mbështetjen shtetërore për vëllezërit tanë në Luginë”, u shpreh Cakaj.

Më tej, ministri Cakaj bëri të ditur se në takimin e zhvilluar është diskutuar edhe për zhvillimet politike në rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi në veçanti.

“Shqipëria po ndjek me shumë vëmendje zhvillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe mbështet në mënyrë absolute platformën e Kosovës në këtë proces”, shtoi ai.

Sipas ministrit, mbetet krejtësisht e qartë që dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.