GREQI – Mitsotakis: Sanksionet e BE-së përgjigjja e vetme nëse Turqia vazhdon agresivitetin

ATHINË, 22 korrik /ATSH-ANA/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Turqia po shton një hallkë tjetër në zinxhirin e veprimeve agresive kundër Greqisë, Qipros dhe gjithë Bashkimit Europian.

”Të sfidosh të drejtat sovrane të Greqisë dhe Qipros është të sfidosh ato të Europës”, theksoi ai gjatë takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Kryeministri grek i bëri të ditur Maasit se, nëse veprimet provokuese të Turqisë vazhdojnë, atëherë vendosja e sanksioneve të BE-së do të jetë përgjigjja e vetme, pasi i takon Turqisë të zgjedhë se cilat marrëdhënie dëshiron të ketë me Greqinë, Qipron dhe Europën.

Pasi uroi Mitsotakis për kontributin për marrëveshjen e frytshme në samitin e BE-së dhe në përputhje me komentet e kancelares Merkel për rolin konstruktiv të Greqisë gjatë krizës pandemike, ministri gjerman shprehu dakordësinë për çështjen e sjelljes agresive të Turqisë, një pozicion që pasqyrohet në përfundimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Ne kemi një qëndrim të qartë solidariteti me Greqinë dhe Qipron”, tha Maas dhe theksoi se i takon Turqisë “të përfundojë qëndrimin e saj provokues ndaj Greqisë dhe të fillojë një dialog”. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.