Amnistia fiskale/ Nuk lejon ligjësimin e kapitaleve të individëve me rekorde kriminale, lehtësohet kreditimi i biznesit

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se përmes amnistisë fiskale e penale të propozuar nga qeveria krijohen mundësi për legalizimin e kapitaleve dhe pasurive, të cilat për shkaqe të ndryshme nuk janë deklaruar apo ligjësuar.

Një masë e tillë, tha ajo gjatë prezantimit të p/ligjit në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, do të lehtësojë frymëmarrjen e ekonomisë dhe të sipërmarrjeve, duke shtuar burimet financiare legale për financimin e veprimtarive ekonomike dhe rritjen e konsumit.

“Jemi të ndërgjegjshëm se kjo është një plagë e ekonomisë shqiptare, e cila mund të vijë për shumë arsye, por ekziston”, deklaroi Denaj.

Denaj vuri në dukje se ngritja e sistemeve dhe një administratë tatimore më e fortë që kemi krijuar ndër këto vite na krijojnë mundësinë që pas kësaj amnistie të mund të kemi një luftë më efektive ndaj evazionit fiskal.

Sipas saj, një sërë ligjesh të miratuara e në shqyrtim do të mund të kemi një kryqëzim informacioni në kohë reale me 146 administrata tatimore në të gjithë botën për të mos lejuar evazionin.

“Amnistia është hartuar në mënyrë të tillë që nuk lejon ligjësimin e kapitaleve apo të financave të individëve me rekorde kriminale, atyre të ekspozuar ndaj krimit dhe kriminalitetit apo individëve të cilët, sipas legjislacionit në fuqi, kanë një ekspozim politik”, deklaroi Denaj.

Denaj tha se po ashtu, përmes këtij p/ligji lehtësohet kreditimi i biznesit pasi jemi dëshmitarë që një pjesë e biznesit kanë operuar me dy balance. “Një vit zero i gjithë kësaj periudhe 30-vjeçare do të lehtësonte kreditimin e biznesit”, deklaroi Denaj.

Më tej, Denaj bëri të ditur se pranë Administratës Tatimore do të ngrihet Njësia Speciale për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive e cila do të kryejë mbledhjen e informacioneve, përditësimin dhe përpunimin e të dhënave për çdo individ brenda 48 orëve.

Ministrja Denaj tha se kjo nismë është e mirëpritur nga biznesi dhe se drafti është konsultuar edhe me grupet e interesit.

Për të bërë sa më të lehtë zbatimin e këtij ligji nga individët dhe biznesi brenda muajit gusht, Denaj informoi se do të jenë gati edhe aktet nënligjore.

Deputetët e opozitës u shprehën se p/ligji i qeverisë favorizon persona të lidhur me krimin.

“P/ligji prish bazën fiskale dhe lehtëson kategori të caktuara të mos paguajnë në mënyrë të rregullt sikurse bizneset e ndershme dhe se p/ligji nuk sjell efekte në buxhetin e shtetit, pasi edhe amnistitë e tjera kanë patur një efekt të vogël diku te rreth 3 miliardë lekë. Barazon një trafikant me një biznesmen të ndershëm, një i inkriminuar brenda natës gdhihet biznesmen i ndershëm”, tha deputeti Artur Roshi./a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.