“Si diell mbi det”/ Kalaja e Kaninës, atraksion i jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor në Vlorë

“Si diell mbi det”/ Kalaja e Kaninës, atraksion i jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor në…

Gepostet von Agjencia Telegrafike Shqiptare am Dienstag, 21. Juli 2020

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kalaja e Kaninës, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik.
E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një video të publikuar me pamje nga kalaja e Kaninës fton turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.
Sipas Lelit, kjo kala përbën një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor, në Vlorë.
Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë shprehet se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.

Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.

“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria . Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.

Ai tregon se “Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: “Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.

Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.

Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës. /k.s/ /a.g//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.