“Ligjet” miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit

TIRANË, 21 korrik /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja në mbledhjen e sotme shqyrtoi nen për nen projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Kodi Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Manja tha se projektligji është sipas marrëveshjes së 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik.

Nga ana e tij, deputeti i PS-së dhe njëherazi bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri sqaroi në fillim të mbledhjes se “diskutime e djeshme nuk kanë të bëjnë me ndryshime në marrëveshjen që ne miratojmë sot, për më tepër dje nga bisedimet që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare kemi rënë dakord që të bëhen disa ndryshime teknike të konstatuara nga stafi i Kuvendit. Dhe dua të them që ato formulime që do bëhen këtu kanë edhe dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare”.

Në diskutimin nen për nen nuk u bë asnjë ndryshim, pasi kështu ishte rënë dakord më parë mes palëve, që Kuvendi të miratojë atë që është firmosur në Këshillin Politik.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës nen për nen dhe në tërësi draftin e 5 Qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa 3 deputetë të opozitës parlamentare votuan kundër.

“Me 3 kundër, asnjë abstenim, miratohet edhe në tërësi projektligji. Falenderoj Gjiknurin dhe kolegët e tjerë për punën e shkëlqyer që është bërë qoftë në komisionin e posaçëm, qoftë edhe për dakordësinë në Këshillin Politik, produkti u materializua. Kodi i ri zgjedhor është pasuruar”, u shpreh Manja.

Projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor shkon për votim në Kuvend në seancën e fundit të sesionit, që mbyllet në fund të korrikut. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.