Kandidatja për ambasadore në Greqi, Hajdaraga: Fokusi në përmirësimin e shërbimeve konsullore dhe bashkëpunimi ekonomik

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Komisioni për Punët e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore për emërimin në postin e Kreut të Misionit Diplomatik të Luela Hajdaragën, kandidate për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi.

Për të prezantuar kandidaturën e Hajdaragës ishte pjesëmarrës në komision, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-së, Armand Skapi.

Skapi u shpreh se Hajdaraga është një emër i ri, por shumë premtues, që pritet t’i bashkëngjitet shërbimit tonë diplomatik.

“Hajdaraga zotëron një formim të shkëlqyer akademik. Ajo ka kryer studimet Universitare në State University of New York, ku është diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, pasuar nga një master ekzekutiv me rezultate të larta në Diplomaci në Zvicër”, tha Skapi.

Luela Hajdaraga u shpreh se, “do të përpiqem të përfaqësoj denjësisht Shqipërinë duke përmirësuar në tërësi  aspektin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve tona fqinje. Historia jonë e përbashkët është e mbushur me suksese, por edhe me momente të cilat na kanë vënë para provave të vështira. Edhe pse ekzistojnë ende çështje të së shkuarës, të cilat kanë nevojë për trajtim, gjërat që na bashkojnë janë më shumë, si traditat e hershme dhe interesat e përbashkëta bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë janë dëshmi e vullnetit për bashkëpunim dhe mirëkuptim”.

Ajo u shpreh se puna e saj konkrete do të fokusohet në tre hapa.

Së pari, shërbimi konsullor, do të jetë sfida aktuale e punës së saj. “Ambasada jonë në Athinë dhe dy Konsullatat në Selanik dhe Janinë kanë shërbyer me devotshmëri duke ofruar më shumë se 49 shërbime përmes aplikimeve online, gjë që ka rritur ndjeshëm shpejtësinë e proceseve”, tha Hajdaraga, e cila shtoi se, “dinamikat e këtij viti treguan se nevojitet një frymë e re komunikimi dhe qasje ndaj problemeve të qytetarëve”.

Ajo u shpreh se do të rritet numri i stafit të ngarkuar me çështjet konsullore, do të rritet kontrolli i hallkave menaxheriale për të evidentuar shpërdorime në termat e kohës apo procesit si dhe do  të përmirësohet shërbimi për të respektuar afatin e dërgimit të dokumentacioneve, dhe komunikimi me qytetarët që aplikojnë online ose kontaktojnë me ambasadën.

Ajo theksoi gjithashtu se pikë tjetër e rëndësishme është nxitja e ecurisë së marrëdhënieve dypalëshe. “Synoj që në drejtimin tim të ndjek me kujdes zbatimin më rigoroz të marrëveshjeve dy palëshe duke hapur rrugën për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy shteteve në këto fusha. Ofrimin e mundësisë për mësimin e gjuhës amëtare. Marrëveshjen për kontributet shoqërore. Përmirësimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Greqi. Vendosjen e kontakteve dhe shkëmbimin midis komisioneve të politikës së jashtme dhe integrimit dhe grupeve të miqësisë parlamentare. Përdorimin e dokumenteve elektronike nga shërbimet konsullore, si viza elektronike, njohja e dokumenteve alternative për përkthimin e dokumenteve zyrtarë ose gjetja e një mënyre alternative për mosvendosjen e vizave për makinat mbi pasaportat individuale”, tha ajo.

Së treti, Hajdaraga u shpreh se, prioritet është bashkëpunimi ekonomik me Greqinë. “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve tregtare do të fokusohet në disa shtylla kryesore si lidhjet miqësore, përmirësimi i bazës ligjore, projektet e përbashkëta, shkëmbimet tregtare me Greqinë dhe investimet e huaja direkte nga Greqia”, tha Hjadaraga.

Komisioni do t’i paraqesë vlerësimin e kandidaturës institucionit të Presidentit të Republikës për kandidaturën, që gjatë diskutimeve u vlerësua pozitivisht.

Disa ditë më parë, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori vendim për lirimin nga detyra të stafit dhe të ambasadores shqiptare në Athinë.

Ky vendim u përshëndet edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, siç tha ai “për një vendim të fortë, por të domosdoshëm për rivendosjen në punë dhe në shërbim të shqiptarëve që jetojnë në emigracion në ambasadën tonë në Athinë. Do doja që kjo qasje e ministrit të Jashtëm të vijojë edhe në konsullata apo ambasada të tjera, ku shërbimi ndaj shqiptarëve nuk është ai që duhet”.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.