Hapja e listave/ Hajdari: Ditë historike për vendin, Murrizi: Do votojmë kundër “5 qershorit”

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Deputetja e opozitës Rudina Hajdari u shpreh se “firmosja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare për Reformën Zgjedhore, është një hap përpara për demokracinë shqiptare”.

“Sot ne arritëm t’i japim këtë premtim shqiptarëve të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë ata deputetë të cilët do t’i zgjedhë populli shqiptar dhe jo vetëm kryetarët e partive. Do të votohen ata deputetë që do të dalin me ide dhe me emrat e tyre përballë qytetarëve”, – tha ajo.

“Ky është një hap përpara për demokracinë shiptare dhe ne po e hedhim këtë hap, këtë ndryshim në këtë ditë. Ju them se ajo që është dukur përpara shqiptarëve si një gjë e pamundur, është një premtim që unë e mbajta deri në fund. Sot unë jam sot përpara jush bashkë me kolegët për të thënë se unë i mbaj premtimet. Ne sot jemi këtu, jemi falë mbështetjes së shoqërisë civile dhe qytetare që e bëmë këtë ditë historike të rëndësishme për demokracinë në Shqipëri”, – deklaroi Hajdari.

Ajo i bëri thirrje opozitës parlamentare t’i bashkohet këtij treni të së ardhmes dhe të mos ta lërë popullin opozitar që e mbështet atë në trenin e stacionit të së shkuarës.

Ndërkaq, sipas Myslym Murrizit, ai ka firmosur kundër një pike të kësaj marrëveshjeje.

“Jam dakord me marrëveshjen dhe jam kundër pikës 1 dhe grupi Demokrat do të votojë kundër. Kam përcjellë vendimin unanim të grupit parlamentar Demokrat“, tha Murrizi.

Ndërkohë, nga ana tjetër Nimet Musai dhe Edmond Stojku thanë se janë dakordësuar me të gjitha pikat e marrëveshjes politike me PS.

“Ky është fundi i një procesi të gjatë. Ne kemi konsensus dhe gjithëpërfshirje. Më 23 korrik do arrihen 84 votat e nevojshme për 5 qershorin, ndërsa më 30 korrik do të votojmë listat e hapura. Vota nuk është kolektive dhe ne nuk detyrojmë, nuk jemi menaxherë të grupeve që përfaqësojmë. Por me shumicë votash kemi rënë dakord të votojmë marrëveshjen e 5 qershorit. Ne si opozitë parlamentare kemi firmosur vetëm marrëveshjen e sotme. Brenda grupit tonë parlamentar, nuk është çudi që disa mos e japin votën, por besojmë se 84 vota do të jenë, u shpreh Stojku.

Ndërsa deputeti Ralf Gjoni tha se votimi është individual, por theksoi se ai vetë nuk e njeh marrëveshjen e 5 qershorit dhe se do të votojë kundër. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.