Fuqizim i bashkëpunimit financiar ushtarak/ Miratohet marrëveshja me Turqinë

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”

Për të bërë përmbledhjen shpjeguese të përmbajtjes së projektaktit, i ftuar në komision ishte Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

Koçi, theksoi se kjo marrëveshje e bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë është në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Turqisë, me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore dhe për të kontribuar në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përcaktimi i bazës së alokimit të burimeve financiare, por të papërdorura prej 2 309 863.24  dollarë amerikanë nga qeveria e Republikës së Turqisë, për të blerë shërbime për qëllime ushtarake mundësisht nga firmat dhe shoqëritë që e kanë 100% të prodhimit të brendshëm, kryesisht në Turqi”, sqaroi më tej Koçi.

Anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.