“Tirana” shpallet kampione e Shqipërisë për të 25-ën herë

TIRANË, 20 korrik/ATSH- A. Fortuzi/- “Tirana” është kurorëzuar të dielën në mbrëmje kampione e Shqipërisë për herë të 25-të në histori. Bardheblutë pasi fituan të shtunën pasdite ndaj “Flamurtarit” me rezultatin 2-0, i janë gëzuar humbjes së “Kukësit”, ndjekësit më të afërt në “Loro Boriçi” ndaj “Vllaznisë” dhe duke nisur festën e titullit  kampionë dy javë para përfundimit të superligës, pasi diferenca prej 7-pikësh është e pakapshme nga verilindorët.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, tha se “është një arritje e bërë falë një pune prej shumë kohësh, që fillon nga punëtori i fushës deri te presidenti. Jam shumë i gëzuar që arritëm t’i shtonim dhe një trofe klubit tonë. U bënë 25 tituj kampionë. Ka qenë një menaxhim më i mirë se çdo vit tjetër. Kemi pakësuar borxhet, që prej vitit 2015”.

Halili tha se dëshiron organizimin e një feste. “Po punon një grup me organizimin e fetës. Pandemia na ka mbërthyer keq. Mbase duhet t’i bëjmë thirrje kryeministrit ta festojmë në stadium këtë titull, duke respektuar dhe normat. Nëse do të na lejojnë, do të festojmë të gjithë bashkë, sipas programit të organizatorëve. Mund ta bëjmë një festë simbolike me 2 mijë veta”,- tha Halili.

I pyetur për të ardhmen e teknikut Egbo, ai tha se është trajneri i parë i huaj që merr titullin kampion tek Tirana. “Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Gjej rastin t’i falënderoj Kostën dhe Xhafën, edhe drejtorin, zëdhënësin, drejtorin e stadiumit. Mbrapa ka qenë një suitë. Mbështetje të veçantë na ka dhënë tifozëria, që ka qenë një aset i çmuar. Do të ulemi me Egbonë të bisedojmë se çfarë do të bëjmë për Ligën e Kampioneve. Nëse biem dakord vazhdojmë, nëse jo do të vazhdojmë me trajner tjetër”,- përfundoi Presidenti bardheblu, Refik Halili.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.