Si të udhëtojmë në kohë pandemie/ Udhëzimet për pasagjerët dhe familjarët

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përcolli sot për publikun rregullat që duhet të ndjekin pasagjerët që duan të udhëtojnë dhe familjarët që i shoqërojnë në aeroport.

TIA bën thirrje për respektim të rregullave të distancimit fizik në hyrje të terminalit dhe që të mbahet maskë në mënyrë të vazhdueshme. ⠀

Brenda ndërtesës së terminalit lejohen vetëm personat që kanë në dorë biletën e udhëtimit dhe askush tjetër. Të gjithë pasagjerët (në vajtje dhe ardhje) kalojnë në tunelin e dezinfektimit dhe temperatura u matet automatikisht nëpërmjet pajisjeve që janë vendosur në aeroport.

TIA gjithashtu këshillon udhëtarët “që të kufizojnë në maksimum numrin e shoqëruesve apo familjarëve që vijnë me ta. Të kufizojmë sa më tepër grumbullimet pranë portës së dezinfektimit në hyrje të aeroportit”. ⠀

“Puthjet e përqafimet të kalojnë në dimension shpirtëror. Sa më pak, aq më mirë për të mbrojtur njëri-tjetrin”, këshillon TIA. ⠀

TIA bën me dije se, “të gjithë avionët dezinfektohen përpara dhe pas çdo fluturimi. Të gjitha bagazhet e pasagjerëve dezinfektohen po ashtu. Për pasagjerët në mbërritje, pranë pistës, janë ngritur disa tenda të mëdha që ju mbrojnë nga dielli, ndërkohë që prisni të kaloni në tunelin e dezinfektimit”.⠀

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.