Shtesa e buxhetit për Skemën Kombëtare/ Fermerët, afat deri më 30 korrik për dorëzimin e dokumenteve shtesë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Fermerët e kualifikuar përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2020, në listën e përditësuar nga AZHBR, pas buxhetit të shtuar të qeverisë, në masën 400 000 000 lekë, kanë afat deri më datë 30 korrik për dorëzimin e dokumenteve shtesë. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, në sajë të Aktit Normativ për financimin shtesë të Skemës Kombëtare ka bërë përditësimin e listës së aplikimeve të kualifikuara, së bashku me vijën e financimit, duke rritur ndjeshëm numrin e fermerëve përfitues të subvencioneve në bujqësi.

Ndërkohë që aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit që në fazën e parë, kanë pasur mundësi deri në datën 17 korrik 2020 për të dorëzuar dokumentacionin shtesë.

Buxheti i shtuar i qeverisë në masën 400 000 000 lekë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020, i është bashkëngjitur fondit të mëparshëm prej 743 900 000 lekësh, duke shtuar ndjeshëm financimin e duke bërë përfitues një pjesë të madhe të aplikantëve që kualifikohen dhe që s’kanë mangësi në kriteret e përcaktuara më parë.

“AGROPIKAT janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë brenda vijës së financimit”, njofton AZHBR. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.