SHBA – Trump mbështet mbajtjen e maskës si një gjest “patriotik”

UASHINGTON, 20 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump mbështeti sot mbajtjen e maskës përballë koronavirusit si një gjest “patriotik”, pasi kishte shfaqur për shumë kohë një qëndrim të paqartë për këtë çështje të ndjeshme.

“Shumë njerëz thonë se është patriotike mbajtja e një maske kur është i pamundur distancimi social. Dhe askush nuk është kaq patriot sa unë, presidenti juaj i preferuar”, shkruan ai në një mesazh në Twitter, i ilustruar nga një foto e tij me maskë.

“Ne jemi të bashkuar në përpjekjen tonë për të mundur një virus të padukshëm”, shtoi ai.

Miliarderi republikan u shfaq në publik me maskë për herë të parë më 11 korrik, disa muaj pas fillimit të pandemisë që ka shkaktuar 140 000 të vdekur në SHBA.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se nuk parashikonte të kërkonte mbajtjen e maskës në nivel kombëtar për të frenuar pandeminë, ndërkohë që numri i rasteve të reja ditore është rritur ndjeshëm dhe i të vdekurve gjithashtu.//ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.