Reforma Zgjedhore/ Bardhi: I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, të miratohet pa ndryshime në Kuvend

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit Politik se  PD i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit, nga e cila jo të gjitha palët morën gjithçka që kërkuan, por, sipas tij, ishte konsensuale.

“Sot na u konfirmua se duhet të rihapim cështje që kemi rënë dakord në 5 qershor, por nuk mund të hedhim në kosh punën 6-mujore”, u shpreh Bardhi.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Bardhi tha se “ndërkombëtarët harxhuan orë dhe ditë të tëra pune për produktin, por na u pohua nga PS-ja që të rihapen çështje me të cilat kemi rënë dakord”.

“Sikurse jeni në dijeni, prej 6 muajsh, Këshilli Politik ka qenë në punë të vijueshme. Në 5 qershor palët nënshkruan marrëveshjen dhe ne sot i kërkuam informacion kryetarit të PS-së, Edi Rama, për angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të paktit në Kuvend, nuk morëm përgjigje, se kur votohet pa ndryshime”, – tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, u shpreh se “u rikthyem prapë te administrimi i zgjedhjeve. Kërkojmë nga palët që kanë firmosur të jenë seriozë. Çështja e respektimit të marrëveshjes nuk është më e brendshme, por kusht për nisjen e bisedimeve me BE-në”.

Sipas tij, PD i qëndron 5 qershorit, ndaj duhet t’i qëndrojnë edhe palët e tjera.

“Për ne është e papranueshme që të ndryshohet”, – shtoi ai.

“Një parti që firmos një marrëveshje duhet t’i qëndrojë. Ne nuk kemi kërkuar kohë, ne i kemi dhënë kohë kryeministrit, që të na informojë zyrtarisht se kur do të kalojë për miratim pa ndryshime kodi që ne kemi bërë. Besoj që edhe ju e dini se nuk ka ende një datë. Ndryshimet e njëanshme minojnë dakordësinë e parë”, tha Bardhi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.