Protokollet antiCovid/ 500 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin në 24 orë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar ditën e sotme inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin edhe si pjesë e taskforcës antiCovid, ku vetëm gjatë ditës së sotme u kryen 500 inspektime dhe monitorime.

AKU bën të ditur se “në çdo monitorim këmbëngulet nga ana e taskforcës për zbatimin me përpikmëri të protokollit të sigurisë kundër përhapjes së virusit, higjienizim ambientesh, mbajtje të detyruar të maskës në ambiente të mbyllura dhe ruajtje të distancës fizike”.

Sipas AKU, për mungesë të këtij protokolli aq të nevojshëm në këtë periudhë, ndaj një subjekti është vendosur një masë administrative.

Gjatë inspektimeve është dhënë ndaj një subjekti një masë administrative për mungesë të higjienës së ushqimeve dhe është bërë bllokim i menjëhershëm i një pjese të këtij aktiviteti. Gjithashtu në disa subjekte të tjera ushqimore janë dhënë paralajmërime, për mungesë të rinovimit të librezës shëndetësore, mungesë të rinovimit të analizës së ujit dhe Planit 3 D.

Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 46 mostra kryesisht në monitorim të qumështit për analizim të ngarkesës mikrobike dhe të qelizave somatike.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vazhdon pandërprerë punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.