Cakaj, bisedë me homologët e vendeve baltike: Mbështetje për integrimin dhe Këshillin e Sigurimit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vendet baltike mbështesin mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në një takim virtual me tre ministrat e Jashtëm të vendeve baltike, ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Linas Linkevičius, ministrin e Jashtëm të Estonisë, Urmas Reinsalu dhe me ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Në takim ministrat diskutuan hollësisht për punën që po bën Shqipëria për të zbatuar të gjitha detyrimet para Konferencës së parë ndërqeveritare.

“Duke vlerësuar thellësisht arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendet baltike mbështesin fort mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, u shpreh Cakaj në një reagim lidhur me takimin.

Gjithashtu, kryediplomati Cakaj theksoi se tema të diskutimit ishin përpjekjet e përbashkëta për të forcuar paqen e për të zgjidhur konfliktet nëpërmjet bashkëpunimit në OSBE dhe NATO.

“Në të njëjtën kohë, vlen të theksohet se vendet baltike mbështesin fuqimisht kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2022-2023”, – përfundoi Cakaj.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.