Task forca antiCOVID/ Intensifikon kontrollet, 17 qytetarë gjobiten me nga 20 mijë lekë për mosmbajtje të maskave

TIRANË, 18 korrik/ATSH/Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka realizuar mbi 1300 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton se nga inspektimet janë marrë 20 masa administrative për subjekte dhe individë të gjetur në shkelje të protokolleve dhe rregullave për mbrojtjen nga COVID-19.

“1 pezullim aktiviteti dhe 19 masa administrative me gjobë, 2 masa me gjobë në piceri/fast food dhe 17 masa administrative me gjobë ndaj individëve për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura. Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Dibër, Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë. Task Forca anti-COVID në total ka kryer mbi 115 mije kontrolle dhe monitorimet në terren dhe gjatë epidemisë dhe janë vendosur rreth 450 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë’.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ripërsëritur apelin drejtuar qytetarëve për t’u treguar të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura.

“MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID-19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura, në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik, në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit.Ministria e Shëndetësisë u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore”.  z.tosku/. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.