Njësi e re e dixhitalizimit të Trashëgimisë Kulturore, e rilindur nga rrënojat ku e lanë aktorët e politikës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Njësia Kombëtare për Dixhitalizimin e Trashëgimisë Kulturore është tashmë një hapësirë e dedikuar me pajisje teknologjike të standardeve të larta dhe personel të kualifikuar për dixhitalizimin e koleksioneve muzeale dhe trashëgimisë kulturore.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga transformimi i Njësisë Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore.

“Një tjetër shembull për të treguar se sa i madh është hendeku mes nesh e atyre që kujtohen për trashëgiminë kulturore, vetëm kur u shfaqet një skenë Teatri Politik”, – shprehet Rama.

Kryeministri Rama thekson se “Njësia Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore tanimë e rilindur nga rrënojat ku e lanë aktorët e politikës me trashëgiminë dhe e gatshme për ruajtjen, trajtimin, studimin dhe përcjelljen e trashëgimisë sonë kulturore, me standardet e çdo vendi që respekton veten duke respektuar traditën, jo duke konservuar karakatinat e pisllëkun”.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, përcjellja e saj brez pas brezi është një nga misionet e Ministrisë së Kulturës. Ndaj edhe ngritja e njësisë së dixhitalizimit të Trashëgimisë Kulturore merr një rëndësi të veçantë./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.